

Antverp, 20 gusht 2026 – Gjykata Penale e Antverpit ka dënuar me nga 4 vite burgim dhe 16 mijë euro gjobë dy vëllezër shqiptarë, të akuzuar për drejtimin e një rrjeti të shpërndarjes së kanabisit dhe pastrimin e parave përmes një picerie.
Sipas raportimeve të mediave belge, bëhet fjalë për Vullnet M., 36 vjeç, dhe Mirgjen M., 33 vjeç. Hetimi, i nisur në tetor 2025, zbuloi disa ambiente që dyshohet se përdoreshin për kultivimin dhe shpërndarjen e kanabisit në Antverp.
Gjatë kontrolleve në dy banesa në zonat Berchem dhe Merksem, policia sekuestroi rreth 24 kilogramë marihuanë, si dhe fletore me të dhëna mbi shitjet dhe fitimet. Sipas dosjes hetimore, aktiviteti kriminal mund të kishte gjeneruar deri në 333,951 euro.
Piceria, sipas akuzës, përdorej për pastrimin e parave
Hetuesit dyshojnë se Vullnet M. përdorte biznesin e tij, një piceri në rrugën “Paleisstraat” në Antverp, për të legalizuar të ardhurat e përfituara nga aktiviteti i paligjshëm.
Në dosje përmendet gjithashtu një llogari në WhatsApp, e përdorur për marrjen e porosive nga klientët. Gjatë ndërhyrjes së policisë, Mirgjeni dyshohet se tentoi të largonte dy telefona celularë.
Dy vëllezërit e pranuan fajësinë gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar në fillim të gushtit. Mbrojtja kërkoi dënime të pezulluara, duke paraqitur argumente që lidheshin me situatën familjare dhe financiare të të pandehurve.
Gjykata nuk e pranoi kërkesën dhe vendosi për burgim efektiv, duke vlerësuar se aktiviteti ishte kryer për përfitim të shpejtë financiar.
Dënohen edhe katër persona të tjerë
Në të njëjtin proces gjyqësor, dy persona të identifikuar si Ardit T. dhe Rei Q., të akuzuar si korrierë të rrjetit, u dënuan me nga 40 muaj burgim dhe 12 mijë euro gjobë.
Ndërkohë, një kushëri i dy vëllezërve dhe ish-partnerja e Mirgjenit morën nga 30 muaj burgim dhe 12 mijë euro gjobë secili.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






