

20 gusht 2026 – Egnatia ka barazuar 0-0 me Lillestrøm në ndeshjen e parë të fazës Play Off të Europa League, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit në Norvegji.
Në stadiumin e Rrogozhinës, sfida nisi me ritëm të lartë. Miqtë patën një moment të rrezikshëm në pjesën e parë, kur Gabrielsen dërgoi topin në rrjetë, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Egnatia u përpoq të krijonte raste për të marrë avantazhin në shtëpi, ndërsa edhe Lillestrøm kërkoi golin në momente të ndryshme të takimit. Megjithatë, asnjëra skuadër nuk arriti të konkretizonte mundësitë dhe 90 minutat u mbyllën pa gola.
Kualifikimi për në fazën e ligës së Europa League do të vendoset në ndeshjen e kthimit më 27 gusht në Norvegji, me Egnatian që tashmë ka një rezultat të hapur përpara sfidës vendimtare.
Pavarësisht rezultatit, kampionët e Shqipërisë e kanë të sigurt pjesëmarrjen në fazën e ligës së Conference League në rast eliminimi nga Europa League. Rregullorja e UEFA-s parashikon që skuadrat e eliminuara në Play Off-in e Europa League të kalojnë në fazën e ligës së Conference League.
Egnatia tashmë synon hapin historik: sigurimin e një vendi në fazën e ligës së Europa League, ndërsa gjithçka do të vendoset pas një jave në transfertën norvegjeze.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






