

Pustec, 20 gusht 2026 – Pas debatit për mungesën e Himnit Kombëtar të Shqipërisë në Festivalin Folklorik Maqedonas të zhvilluar në Pustec, ka reaguar kryetari i Bashkisë Pustec, Pali Kolefski.
Kolefski deklaroi se, përpara zhvillimit të aktivitetit, u kishte kërkuar organizatorëve që në ceremoninë zyrtare të ekzekutohej edhe himni shqiptar, krahas atij të Maqedonisë së Veriut.
Sipas kryebashkiakut, ai kishte kërkuar paraprakisht programin zyrtar të aktivitetit dhe kishte marrë informacionin se ceremonia do të hapej me himnin maqedonas.
“I kam kërkuar që, në momentin që do të ekzekutohet himni maqedonas, duhet të jetë patjetër edhe himni shqiptar, sepse është në çdo protokoll, në çdo pritje zyrtare ose hapje të ceremonive zyrtare”, deklaroi Kolefski.
Kryebashkiaku theksoi se respektimi i himnit shqiptar është i domosdoshëm, pasi aktiviteti zhvillohej në territorin e Shqipërisë.
“Duhet patjetër të jetë dhe himni i shtetit, sepse ne jemi shtetas shqiptarë, jetojmë këtu dhe duhet të respektohet himni”, u shpreh ai.
“Nuk isha organizator”
Kolefski sqaroi se Bashkia e Pustecit nuk ishte organizatore e aktivitetit dhe se ai kishte marrë pjesë si i ftuar.
Pavarësisht kësaj, ai kërkoi ndjesë për situatën e krijuar, duke theksuar se kishte kërkuar paraprakisht respektimin e protokollit.
“Pavarësisht se nuk më takon mua, sepse s’kam qenë organizator si Bashki e Pustecit, si organizator i këtij aktiviteti. Kemi qenë të ftuar në këtë koncert. Megjithatë, kërkoj ndjesë”, tha kryebashkiaku.
Sipas tij, edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, nuk e ka pritur mirë situatën.
Reagimi i Kolefskit vjen pas polemikave të krijuara për faktin se gjatë ceremonisë u ekzekutua vetëm himni i Maqedonisë së Veriut, ndërsa ai shqiptar nuk u përfshi në program.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






