

Pustec, 20 gusht 2026 – Pusteci ka pritur sot Festivalin Folklorik Maqedonas, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Ceremonia u shoqërua me debate për respektimin e protokollit shtetëror, pasi gjatë aktivitetit u ekzekutua vetëm himni i Maqedonisë së Veriut.
Sipas raportimeve, gjatë ceremonisë nuk u luajt Himni Kombëtar i Shqipërisë, edhe pse aktiviteti u zhvillua në territorin shqiptar dhe në prani të drejtuesve vendorë.
Sipas praktikës së protokollit shtetëror për aktivitete të këtij niveli, në ceremonitë zyrtare ku marrin pjesë përfaqësues të dy shteteve ekzekutohen himnet kombëtare të vendeve përkatëse, duke nisur me himnin e vendit pritës.
Mungesa e himnit shqiptar ka rikthyer debatet për respektimin e protokollit gjatë aktiviteteve zyrtare në Pustec, veçanërisht pasi një situatë e ngjashme është raportuar edhe më herët.
Në aktivitet ishin të pranishëm edhe drejtues vendorë, mes tyre Pali Kolefski dhe Edmond Themelko.
Mickoski: Të ruhet gjuha dhe identiteti
Gjatë fjalës së tij, kryeministri Mickoski u ndal te mbështetja që qeveria maqedonase synon t’i japë komunitetit maqedonas në zonën e Prespës së Vogël, përmes projekteve në arsim, kulturë dhe forcimit të lidhjeve institucionale.
Mickoski u bëri thirrje pjesëtarëve të komunitetit maqedonas që të arsimohen, të mësojnë gjuhë të huaja dhe të integrohen në shoqërinë evropiane, duke ruajtur njëkohësisht gjuhën, historinë dhe origjinën e tyre.
Festivalin ai e cilësoi si një dëshmi se kufijtë nuk mund të ndajnë kulturën dhe përkatësinë e komuniteteve.
Ndërkohë, deri në këto momente nuk ka një shpjegim zyrtar lidhur me arsyen përse gjatë ceremonisë nuk është ekzekutuar Himni Kombëtar i Shqipërisë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






