Transmetuar më 20-08-2026, 20:35

Shkodër, 20 gusht 2026 – Është vetëdorëzuar në Policinë e Shkodrës Pjerin Bitani, i dyshuar për plagosjen me armë zjarri të Vladimir Bruçit, ngjarje e ndodhur pasditen e sotme në Shkodër.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 14:30, ndërsa dorëzimi i të dyshuarit erdhi pas negociatave të zhvilluara mes efektivëve të Policisë dhe familjarëve të tij.

Konflikti dyshohet se nisi për kamerat e sigurisë

Sipas burimeve nga grupi hetimor, ngjarja dyshohet se ka nisur pas një debati mes dy personave, të cilët prej vitesh kishin marrëdhënie miqësore.

Shkak i konfliktit dyshohet të jenë bërë kamerat e sigurisë të lokalit në pronësi të Bitanit. Bruçi i kishte kërkuar fqinjit të tij heqjen e kamerave, me pretendimin se banonte pranë lokalit dhe kalonte çdo ditë në atë zonë.

Refuzimi i kërkesës dyshohet se ka përshkallëzuar debatin verbal, i cili më pas ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit.

Si pasojë, Vladimir Bruçi mbeti i plagosur dhe u transportua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Sipas informacioneve paraprake, ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Pas vetëdorëzimit të Pjerin Bitanit, Policia ka vijuar veprimet procedurale dhe hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësive dhe zbardhjen e të gjitha rrethanave të konfliktit.

Shkodër

Plagosi me armë zjarri fqinjin e tij, për motive të dobëta; pas kontrolleve të shumta, pamundësisë për t’u larguar dhe negociatave mes familjarëve dhe Policisë, vetëdorëzohet autori i dyshuar i plagosjes me armë zjarri të komshiut të tij.

70-vjeçari u arrestua për “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Si rezultat i kontrolleve të shumta të kryera nga shërbimet e Policisë, pamundësisë për t’u larguar dhe për të qëndruar i fshehur, si dhe negociatave të vazhdueshme mes familjarëve të autorit të dyshuar dhe Policisë, shtetasi P. B. u vetëdorëzua te strukturat e Policisë, në lagjen “Rus”, ku qëndronte i fshehur prej disa orësh.

Në përfundim të veprimeve procedurale, 70-vjeçari u arrestua për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi:

Rreth orës 14:30 të ditës së sotme, në lagjen “Partizani”, dyshohet se shtetasi P. B., 70 vjeç, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri fqinjin e tij, shtetasin V. B., 64 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Shkodër, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit