

Sarandë, 20 gusht 2026 – Autoritetet kanë zhvilluar kontrolle në disa kantiere ndërtimi në territorin e Bashkisë Sarandë, me fokus verifikimin e dokumentacionit, respektimin e kushteve të sigurisë dhe ligjshmërinë e ndërtimeve.
Kontrollet nisën në orët e mëngjesit dhe u kryen nga përfaqësues të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), në bashkëpunim me Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë Sarandë dhe Komisariatin e Policisë Sarandë.
Sipas të dhënave paraprake, janë verifikuar disa kantiere të pajisura me leje ndërtimi, ndërsa në një pjesë të tyre janë evidentuar problematika dhe mangësi në dokumentacion.
Subjekteve u është dorëzuar “Akt-Verifikimi mbi Sigurinë e Kantierit”, ndërsa u është lënë një afat 10-ditor për korrigjimin e problematikave të konstatuara. Në rast të mosplotësimit të kërkesave brenda afatit, ndaj subjekteve mund të ndërmerren masa administrative, përfshirë gjobat.
Kontrollet shtrihen edhe në zonat problematike
Inspektimet janë shtrirë edhe në zona ku dyshohet për ndërtime të paligjshme, kryesisht në Ksamil, një prej zonave me zhvillim të lartë të aktivitetit ndërtimor dhe turistik.
Pas përfundimit të kontrolleve në terren, Drejtoresha e Përgjithshme e AZHT-së, përfaqësues të IKMT-së, drejtues të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe drejtues të Komisariatit të Sarandës zhvilluan një takim në ambientet e Bashkisë Sarandë.
Mbledhja zgjati rreth një orë e 30 minuta dhe, sipas informacioneve paraprake, në të mori pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Klevis Qose.
Verifikime edhe për punën e Policisë së Sarandës
Sipas të dhënave paraprake, Qose ka mbërritur në Sarandë për të verifikuar punën e strukturave të Policisë së Shtetit në këtë zonë, pas disa denoncimeve të depozituara pranë AMP-së.
Në fokus të verifikimeve janë edhe pretendime për favorizim të ndërtimeve pa leje nga punonjës të Policisë së Shtetit. Këto janë pretendime që pritet të verifikohen nga strukturat përgjegjëse dhe nuk përbëjnë konstatime përfundimtare.
Kontrollet pritet të vijojnë në territorin e Sarandës, ndërsa rezultatet përfundimtare do të përcaktojnë nëse do të ketë masa të tjera administrative apo procedime për shkeljet e konstatuara.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






