Transmetuar më 20-08-2026, 19:05

20 gusht 2026 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka kërkuar sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, që KFOR-i të ndalë zvogëlimin gradual të pranisë së tij në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë të Veriut.

Përmes një reagimi në Instagram, Vuçiç tha se i ka dërguar një letër Rutte-s, duke kërkuar që misioni i NATO-s në Kosovë të veprojë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sipas presidentit serb, tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të krijonte, siç pretendon ai, kushte për një “përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.

Vuçiç tha gjithashtu se në letrën drejtuar Rutte-s ka kërkuar që KFOR-i të ndalë atë që ai i cilësoi si “terror ndaj serbëve”, përndjekjet dhe arrestimet, si dhe rrënimin e shtëpive. Ai përmendi edhe çështjen e hapjes së urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin.

Beogradi paralajmëron veprime në OKB

Presidenti serb deklaroi se autoritetet në Beograd do të vijojnë “luftën politike me të gjitha mjetet e mundshme”, duke mos përjashtuar edhe thirrjen e një seance të posaçme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Sipas Vuçiçit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka zhvilluar një bisedë “shumë të vështirë” me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Ulutash ishte takuar më 12 gusht edhe me përfaqësues të Listës Serbe, e cila kundërshton zvogëlimin e pranisë së KFOR-it në urën mbi Ibër.

KFOR: Prania po optimizohet gradualisht

Komandanti i KFOR-it ka argumentuar se procesi i optimizimit të pranisë është nisur për shkak të përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë dhe se ai do të zhvillohet gradualisht.

Ura kryesore mbi Ibër mbetet një nga pikat më të ndjeshme të sigurisë në veri të Kosovës. Pas luftës së vitit 1999, Mitrovica u nda në pjesën veriore, me shumicë serbe, dhe pjesën jugore, me shumicë shqiptare.

KFOR-i vijon të deklarojë se e zbaton mandatin e tij në përputhje me Rezolutën 1244 dhe se vepron në mënyrë të paanshme, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

Aktualisht, ura kryesore mbi Ibër është e hapur për këmbësorë. Debati për hapjen e saj edhe për automjetet ka shkaktuar prej vitesh tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkohë, autoritetet e Kosovës kanë ndërtuar dy ura të tjera pranë urës kryesore, një për këmbësorë dhe një për automjete, me synimin për të lehtësuar lidhjen mes Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit