

Pukë, 20 gusht 2026 – Situata e zjarreve në Pukë është përkeqësuar, ndërsa flakët në zonën e Gojanit po përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga era e fortë dhe duke iu afruar banesave.
Për shkak të rrezikut për jetën dhe pronat, Bashkia Pukë ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve të Gojanit të Madh, në Njësinë Administrative Gjegjan.
Urdhri është firmosur nga kryetari i Bashkisë Pukë, Rrok Dodaj, në kuadër të masave të emergjencës për përballimin e situatës së krijuar nga zjarri.
Evakuimi, në koordinim me strukturat e emergjencës
Sipas urdhrit, procesi i evakuimit do të zhvillohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut Shkodër, strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Pukë, Policinë e Shtetit dhe shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Prioritet gjatë evakuimit do t’u jepet fëmijëve, foshnjave, të moshuarve, personave me sëmundje kronike, personave me aftësi të kufizuara, si dhe familjeve që ndodhen në zona të izoluara ose në rrezik të lartë nga flakët.
Banorët do të strehohen në Pukë
Bashkia ka përcaktuar Konviktin “Ali Bytyçi” në Pukë si ambient pritës për banorët e evakuuar. Sipas autoriteteve vendore, në këtë strukturë janë marrë masa për sigurimin e strehimit, ushqimit dhe shërbimit mjekësor.
Transporti i banorëve do të realizohet me mjetet logjistike të Bashkisë Pukë, MZSH-së dhe Policisë së Shtetit.
Në varësi të zhvillimit të situatës dhe nevojës për mbështetje shtesë, në operacion mund të angazhohen edhe Forcat e Armatosura.
Autoritetet vijojnë ndërhyrjen për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa situata mbetet dinamike për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit dhe kushteve të favorshme atmosferike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






