

Tiranë, 20 gusht 2026 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar kërkesën e grupit nismëtar për zhvillimin e një referendumi që synon shfuqizimin e ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura.
Me vendimin e KQZ-së, grupi nismëtar, i përbërë nga 12 përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë mjedisorë, gazetarë dhe përfaqësues të organizatave mjedisore, do të pajiset me formularin tip dhe mund të nisë mbledhjen e firmave të zgjedhësve.
Nismëtarët duhet të sigurojnë 50 mijë firma të zgjedhësve të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Zgjedhësve, në mënyrë që procedura të vijojë sipas parashikimeve ligjore.
Kundërshtimi i ndryshimeve ligjore
Në kërkesën drejtuar KQZ-së, grupi nismëtar argumenton se ndryshimet e miratuara në vitin 2024 dobësojnë mekanizmat e mbrojtjes së natyrës dhe krijojnë mundësi për zhvillimin e strukturave turistike brenda zonave të mbrojtura.
Në fokus të kundërshtimeve është edhe koncepti i “turizmit të ekselencës”, për të cilin aktivistët pretendojnë se mund të krijojë bazë për ndërtimin e strukturave akomoduese dhe infrastrukturës turistike në territore me status të veçantë mbrojtjeje.
Sipas nismëtarëve, ndryshimet ligjore mund të sjellin fragmentim të habitateve, dëmtim të korridoreve ekologjike, presion mbi burimet ujore dhe cenim të shërbimeve të ekosistemit. Ata shprehen gjithashtu se disa prej ndryshimeve mund të bien ndesh me angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë dhe objektivat për mbrojtjen e zonave të rrjetit Natura 2000.
Kjo është pyetja që synohet t’u drejtohet qytetarëve
Nëse mblidhen firmat e nevojshme dhe plotësohen kushtet e tjera ligjore, zgjedhësve do t’u propozohet të shprehen për këtë pyetje:
“A duhet të shfuqizohet Ligji nr. 21/2024, ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017, Për zonat e mbrojtura’?”
Nisma vjen pas protestave të zhvilluara në Tiranë nga organizata mjedisore dhe aktivistë, të cilët kanë kërkuar anulimin e ndryshimeve ligjore.
Qeveria, nga ana tjetër, ka mbrojtur ndryshimet, duke argumentuar se ato synojnë nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e turizmit, duke ruajtur njëkohësisht mbrojtjen e natyrës.
Me vendimin e KQZ-së për pajisjen me formularin tip, nisma kalon tashmë në fazën e mbledhjes së firmave. Mbështetësit e referendumit duhet të sigurojnë 50 mijë nënshkrimet e kërkuara për të vijuar procedurën drejt zhvillimit të tij.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






