

Është ndarë nga jeta në moshën 66 vjeçare, Rezana Çeliku, një prej figurave të njohura të artit, kinematografisë dhe ekranit shqiptar, e cila fitoi popullaritet veçanërisht gjatë viteve ’70 dhe ’80.
Rruga e saj drejt filmit nisi thuajse rastësisht. Edhe pse nuk kishte një formim profesional si aktore, Çeliku tërhoqi vëmendjen e regjisorëve falë natyrshmërisë, elokuencës dhe prezencës së saj të veçantë në ekran.
Përpara se të shfaqej në kinematografi, ajo ishte bërë e njohur edhe për publikun e Televizionit Shqiptar, ku kishte prezantuar festivale rinore, koncerte dhe programacionin e mbrëmjes.
Gjatë karrierës së saj, Rezana Çeliku interpretoi në disa prej filmave të njohur shqiptarë. Ajo u shfaq në filmin “Ata ishin katër”, me regji të Kujtim Çashkut, ku luajti rolin e një partizaneje, ndërsa në “Shokë të një skuadre” interpretoi rolin e një mësueseje.
Publiku e kujton gjithashtu nga prodhime të tjera të kinematografisë shqiptare, mes tyre “Zonja nga qyteti” dhe “Malet me blerim mbuluar”.
Një prej roleve të saj më të kujtuara mbetet ai në filmin “Një djalë dhe një vajzë”, të realizuar në vitin 1989, ku Çeliku interpretoi një centraliste. Personazhi i saj, i përfshirë në një marrëdhënie me një djalë më të ri, u konsiderua i guximshëm për realitetin shoqëror të kohës dhe ngjalli diskutime.
Ky do të ishte edhe interpretimi i saj i fundit në kinematografi.

Me largimin e Rezana Çelikut, arti shqiptar humbet një prej fytyrave të njohura të ekranit të disa dekadave më parë, ndërsa rolet dhe paraqitjet e saj televizive mbeten pjesë e kujtesës së publikut shqiptar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






