

Tridhjetë e pesë vjet më parë, në gusht të vitit 1991, anija tregtare “Vlora” kaloi Adriatikun me rreth 20,000 shqiptarë në bord, të cilët po i largoheshin kolapsit ekonomik dhe mjerimit. Ishte një nga zbarkimet më të mëdha në historinë e Italisë.
Sot, një tjetër lloj flote po përgatitet të bëjë të njëjtin rrugëtim në kah të kundërt. Më 20 gusht, një flotilje e vogël prej tre varkash me vela do të niset nga porti i Brindisit drejt brigjeve shqiptare, për të protestuar kundër tjetërsimit të pronave publike dhe zonave të mbrojtura në Vlorë.
E pagëzuar si një nismë e përbashkët e kolektivit italo-shqiptar “Mesdhe”, atij shqiptar “Palestina e Lirë” dhe degës italiane të nismës “Global Sumud Flotilla”, kjo lëvizje vjen në mbështetje të “Revolucionit të Flamingove”.
Prej më shumë se dy muajsh, mijëra qytetarë shqiptarë kanë protestuar kundër planeve të qeverisë shqiptare për t’i dhënë ishullin e Sazanit dhe zonën e mbrojtur të Zvërnecit investitorëve për ndërtimin e resorteve të luksit – lëvizje që është zgjeruar më pas me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Investimi i kundërshtuar është i lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka po ashtu një rol kontrovers si negociator i armëpushimeve mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza. Kushner po ashtu promovoi në janar të këtij viti një plan të Shtëpisë së Bardhë për ta kthyer Gazën, një qytet i rrënuar nga bombardimet që u kanë marrë jetën mijëra civilëve, në një qendër tregtare dhe teknologjike. Sipas aktivistëve të “Global Sumud Flotilla”, kjo do të shërbente për të lehtësuar zhvendosjen e popullsisë dhe fshirjen e kulturës palestineze.
Për aktivistët, ky dimension e kthen lundrimin në një urë që lidh rezistencën në Gazë, betejat kundër planeve të ngjashme në bregdetin e Pulias dhe “Revolucionin e Flamingove” në Shqipëri, duke i trajtuar si një front të vetëm përballë të njëjtave forcave globale.
“Këto janë projekte të një elite globale dhe e njëjta skemë po përdoret në të gjithë botën, ku kjo elitë po grabit prona dhe po i zhvesh njerëzit nga të drejtat e tyre dhe kultura,” i tha BIRN Tony La Piccirella, pjesë e ekipit koordinator ndërkombëtar të “Global Sumud Flotilla”.
Solidaritet dhe simbolikë
Flota që niset drejt Shqipërisë të premten nuk është e madhe. Sipas organizatorëve, janë tre anije me vela dhe 30 persona. Një grup tjetër, kryesisht shqiptarë emigrantë të gjeneratës së dytë do të udhëtojnë me traget drejt Vlorës.
Para nisjes, organizatorët kanë planifikuar një aktivitet me muzikë dhe fjalime në Bari.
Plani është që flotilja të vizitojë fillimisht Sazanin, i përfshirë gjithashtu në projektet e Kushner për resorte, por kjo nëse koha do të premtojë. Më pas, anijet do të ankorohen në Vlorë. Mëngjesin e së shtunës, më 22 gusht, anijet do të lundrojnë për në plazhin e Dajlanit, do të ankorohen në gji dhe aktivistët do të zhvillojnë një protestë simbolike.
Nisma organizohet nga grupime me sfonde të ndryshme, por që kanë të përbashkët kauzën kundër pabarazisë.
Kolektivi italo-shqiptar “Mesdhe” përfaqëson aktivistë të diasporës që synojnë ruajtjen e memories historike të emigracionit dhe mbrojtjen e komuniteteve, ndërsa “Palestina e Lirë” përbëhet nga aktivistë shqiptarë që promovojnë solidaritetin me Palestinën. Atyre u është bashkuar dega italiane e “Global Sumud Flotilla”, një nismë e shoqërisë civile e krijuar fillimisht për të thyer bllokadën detare në Gaza.
Për La Piccirellan, i cili është puljez, lidhja është e qartë dhe e fortë për shkak të historisë së vjetër mes Barit, Vlorës dhe Shqipërisë.
“Si puljezë ne jemi duke ndjekur atë që po ndodh, njerëzit flasin në kafene, në rrugë dhe janë të frymëzuar nga ju dhe duam t’u mbështesim, sepse jemi të lidhur historikisht dhe duam të mësojmë nga ju si të mbrojmë vendin tonë,” thotë ai.
Solidariteti, sipas tij, vjen edhe si një përgjigje ndaj kërcënimeve të përbashkëta. La Piccirella nënvizon se një projekt i ngjashëm zhvillimi po planifikohet në Ostuni, e ashtuquajtura “porta e Adriatikut” në Pulia, fiks përballë Sazanit. Sipas tij, ngritja e resorteve luksoze “po ndodh në shumë vende” dhe ka ngjashmëri me projektet në Vlorë.
Përtej këtyre çështjeve, ai e sheh nismën si një formë solidariteti qytetar me Shqipërinë dhe shqiptarët. “Nisma është edhe një formë solidariteti me Shqipërinë, për të treguar se ka një lidhje më të fortë se ajo institucionale mes qeverisë Rama dhe asaj të Giorgia Melonit,” shtoi ai.
Baki Goxhaj, pjesëmarrës i lundrimit të fundit të flotiljes drejt Gazës dhe koordinator lokal për nismën, thekson peshën historike sipas tij të këtij udhëtimi.
“Ata po nisen nga i njëjti port ku ka ankoruar anija ‘Vlora’…,” thekson Goxhaj, duke shtuar se udhëtimi pas 35 vitesh mbart një mesazh të fortë.
“Në njëfarë mënyre, simbolika këtu është që ata me këtë rikthim i japin fund tranzicionit bashkë me Revolucionin Flamingo,” tha Goxhaj.
Kjo flotilje nuk është thjesht një mjet transporti, por një delegacion i gjerë proteste që synon të bashkojë dy anët e detit. Goxhaj sqaron se thelbi i udhëtimit është solidariteti. “Po vijnë aktivistë italianë dhe qytetarë të thjeshtë italianë, po vijnë gazetarë italianë. Po vijnë fëmijët e diasporës shqiptare, fëmijë të familjeve apo të njerëzve që kanë ikur në ’91-shin,” shton ai.
Lidhja mes sakrificës së dikurshme të emigrantëve dhe shpronësimit të sotëm theksohet qartë në njoftimin e nismës postuar në rrjetet sociale.
“Në vitin 2026, ndërsa populli shqiptar është në revoltë…, nga Bari duam të nisemi drejt Vlorës si një diasporë e organizuar. Sepse i njëjti korrupsion që ka detyruar kaq shumë njerëz të largohen, sot po shet brigjet, ishujt, lagunat dhe të ardhmen tonë,” thuhet në njoftimin e publikuar në internet.
Pavarësisht simbolikës që ka flotilja, si Goxhaj ashtu edhe La Piccirella theksojnë rëndësinë e fokusit ekskluziv te protesta e qytetarëve në Shqipëri, për të shmangur çdo devijim apo keqpërdorim nga qeveria që mund të dëmtojë revoltën qytetare.
“Menduam që është një simbolikë e rëndësishme. Normalisht nuk është protesta jonë, ne nuk duam të bezdisim asnjëri, por duam të jemi aty për t’u mbështetur,” përfundoi La Piccirella./BIRN
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






