

Shkodër, 20 gusht 2026 – Detaje të reja dalin në dritë pas plagosjes me armë zjarri të Vladimir Bruçit, mesditën e sotme në lagjen “Partizani” në Shkodër.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 14:30, Vladimir Bruçi dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga Pjerin Bitani, për motive që ende nuk janë bërë të qarta. Bitani, i cili dyshohet se është fqinj i familjes Bruçi, është shpallur në kërkim nga Policia.
Vladimir Bruçi është dërguar në spital, ku po merr ndihmën mjekësore. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të konfliktit.
Vladimir Bruçi, babai i Alban Bruçit
Emri i familjes Bruçi është përmendur edhe më herët në kronikat e ngjarjeve kriminale në Shkodër.
Vladimir Bruçi është babai i Alban Bruçit, i cili në gusht të vitit 2022 i shpëtoi një atentati. Ndërkohë, një tjetër pjesëtar i familjes, Lad Bruçi, raportohet se më herët ishte dhunuar në banesë.
Edhe emri i Alban Bruçit është i njohur për autoritetet. Në vitin 2016, ai u arrestua dhe u akuzua se, në lagjen “Vojo Kushi”, pas teatrit “Migjeni” në Shkodër, kishte qëlluar me armë në drejtim të një personi me inicialet A. J., i cili po lëvizte me automjet.
Për këtë ngjarje, Bruçi u akuzua për “vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”.
Hetimet për ngjarjen e sotme
Përplasja e sotme mes Vladimir Bruçit dhe Pjerin Bitanit është ende nën hetim. Policia po punon për kapjen e autorit të dyshuar, ndërsa grupi hetimor po mbledh prova dhe dëshmi për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë bërë të ditura detaje të tjera mbi motivin e konfliktit apo gjendjen shëndetësore të të plagosurit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






