

20 gusht 2026 – Një shtetas shqiptar ka humbur jetën në një burg në Spanjë, në rrethana që po ngrenë pikëpyetje mbi gjendjen e tij dhe reagimin e strukturave të institucionit të vuajtjes së dënimit.
Viktima është identifikuar si Jurgen Rama, me origjinë nga Burreli. Ngjarja raportohet të ketë ndodhur në burgun Lleida Ponent, në Katalonjë, ndërsa lajmi për identitetin e tij është bërë publik ditën e sotme.
Sipas dëshmive të të burgosurve shqiptarë në këtë institucion, të referuara nga JOQ Albania, Rama kishte kaluar një periudhë të vështirë psikologjike. Mësohet se ai kishte humbur vëllain në një aksident, ndërsa ndodhej në burg dhe ishte në pritje të lirimit.
Të burgosur të tjerë shqiptarë kanë deklaruar se zvarritja e proceseve gjyqësore në Spanjë kishte ndikuar më tej në gjendjen e tij emocionale.
Kishte tentuar edhe më herët
Sipas të njëjtave raportime, Rama kishte tentuar t’i jepte fund jetës edhe më 16 gusht, por ishte shpëtuar nga shqiptarë të tjerë me të cilët ndante qelinë.
Dy ditë më vonë, ai humbi jetën brenda të njëjtit institucion.
Rasti ka ngritur pikëpyetje mbi masat e marra nga autoritetet e burgut, veçanërisht pas tentativës së mëparshme. Megjithatë, rrethanat e plota të ngjarjes dhe përgjegjësitë eventuale mbeten për t’u përcaktuar nga autoritetet spanjolle.
Hetimet pritet të sqarojnë dinamikën e ngjarjes, si dhe nëse janë respektuar procedurat e sigurisë dhe monitorimit pas tentativës së raportuar të 16 gushtit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






