Transmetuar më 20-08-2026, 12:04

Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Argys Kalsin, 35 vjeç, i dyshuar si një prej autorëve të grabitjes së një argjendarie në Paskuqan, ngjarje e ndodhur më 5 gusht.

Kalsi u arrestua dy ditë më parë në pikën kufitare të Qafë Thanës, teksa dyshohet se tentonte të largohej nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut. Sipas policisë, 35-vjeçari ishte mbajtur prej disa ditësh nën vëzhgim dhe përgjim, në kuadër të hetimeve për identifikimin e autorëve të grabitjes.

Gjatë seancës gjyqësore, Kalsi ka mohuar përfshirjen në ngjarje, ndërsa nuk ka bashkëpunuar me autoritetet për identifikimin e personit tjetër të dyshuar si bashkëpunëtor.

Sipas hetimeve, arrestimi i tij u bë pasi në disa sende të gjetura dhe sekuestruara nga policia në një zonë të pyllëzuar në Zall-Herr u identifikuan gjurmë papilare. Pas ndalimit, atij iu mor edhe një mostër për profilizim ADN-je.

Profili gjenetik i 35-vjeçarit rezultoi në përputhje me gjurmët e gjetura në një prej maskave prej silikoni të përdorura gjatë grabitjes, duke përforcuar dyshimet e hetuesve për përfshirjen e tij në ngjarje. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e personit tjetër të dyshuar.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit