Transmetuar më 20-08-2026, 11:40

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Maliqit, e thirrur për të diskutuar Reformën Territoriale, është shoqëruar me tensione dhe debate, duke përfunduar pas rreth 20 minutash. Këshilltarët e mazhorancës braktisën sallën, ndërsa opozita dhe qytetarët vijuan reagimet.

Mbledhja ishte parashikuar të zhvillohej rreth orës 10:00 dhe kishte në rend dite miratimin e qëndrimit zyrtar të Këshillit Bashkiak Maliq për t’ia përcjellë Kuvendit në kuadër të procesit të rishikimit të ndarjes administrativo-territoriale.

Sipas raportimeve, grupi i këshilltarëve të majtë kishte deklaruar se nuk do të merrte pjesë në vendimmarrje për propozimin që duhet t’i dërgohet Parlamentit. Pas kësaj, kryetari i Këshillit Bashkiak njoftoi mbylljen e mbledhjes, vendim që shkaktoi reagime nga këshilltarët e opozitës dhe qytetarët e pranishëm.

Në pak sekonda, këshilltarët e mazhorancës u larguan nga salla, ndërsa pjesëtarët e opozitës vijuan deklaratat dhe kundërshtimet e tyre.

Situata u tensionua më tej kur një i moshuar hyri në sallë me një shkop në dorë dhe debatoi me kryetarin e Këshillit Bashkiak, duke kundërshtuar mbylljen e mbledhjes. Pamjet nga situata kanë tërhequr vëmendje për tensionet e krijuara gjatë diskutimit për Reformën Territoriale.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit