Transmetuar më 20-08-2026, 11:28

Detaje të reja nga dosja hetimore hedhin dritë mbi kërcënimet dhe përndjekjen që, sipas dëshmive të mbledhura nga autoritetet, Refit Buzi i kishte bërë ish-të fejuarës së tij muaj përpara tragjedisë në Vidhisht të Roskovecit. Në nëntor 2025 ai ishte arrestuar për “Kanosje” dhe “Përndjekje”, por më pas ishte lënë i lirë.

Sipas materialeve hetimore, ish-e fejuara e Buzit, Rosalinda Plaka, kishte bërë denoncime në polici, duke deklaruar se ai e kërcënonte dhe e përndiqte vazhdimisht. Ajo kishte paralajmëruar se ndihej e rrezikuar për jetën, ndërsa në një prej rasteve Buzi dyshohet se e kishte kërcënuar me fjalët: “Do të vras nëse ndahesh prej meje” dhe se nuk do ta linte të qetë nëse e shihte me një person tjetër.

Dosja përshkruan edhe një tjetër formë presioni. Sipas dëshmisë së Rosalindës, Buzi i kishte dërguar video dhe materiale intime, duke e kërcënuar se do t’i publikonte në rrjetet sociale. Ajo deklaroi gjithashtu se ai kishte hapur një adresë false me fotografitë e tyre dhe e kishte detyruar të takohej me të, ndërsa gjatë takimeve e kishte kërcënuar dhe tentuar ta çonte me forcë në hotel.

Situata u përshkallëzua në nëntor 2025. Më 17 nëntor, policia u njoftua se Rosalinda ishte kërcënuar me armë në Tiranë. Buzi u lokalizua dhe u arrestua, ndërsa në kuadër të hetimit u ngritën ndaj tij akuzat për “Përndjekje” dhe “Kanosje”. Gjykata e Shkallës së Parë vendosi masën “arrest në burg”, vendim që u la në fuqi edhe nga Apeli i Tiranës më 22 dhjetor 2025.

Megjithatë, sipas materialeve të bëra publike, Buzi më vonë doli nga qelia, ndërsa rrethanat e ndryshimit të masës së sigurisë mbeten për t’u sqaruar. Në korrik 2026, ai dyshohet se vrau me armë gjahu prindërit e ish-të fejuarës së tij, Kosta dhe Belere Plaka, në Vidhisht të Roskovecit, ndërsa më pas e mori peng Rosalindën. Pas rrethimit nga policia dhe forcat RENEA, Buzi vrau veten.

Rasti ka rikthyer në vëmendje denoncimet e bëra muaj përpara tragjedisë dhe mënyrën se si u trajtuan ato nga institucionet. Materialet hetimore tregojnë se autoritetet ishin vënë në dijeni për kërcënimet dhe sjelljen e dhunshme të Buzit, ndërsa tashmë hetimet synojnë të sqarojnë edhe rrethanat që çuan në lirimin e tij përpara ngjarjes së rëndë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit