

FAST Albania lokalizoi në Malësinë e Madhe 32-vjeçarin Franko Broci, i kërkuar nga Italia për akuza që lidhen me organizatë kriminale dhe trafik të lëndëve narkotike. Vijojnë procedurat e ekstradimit
Një 32-vjeçar nga Malësia e Madhe, Shkodër, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, është arrestuar në Shkodër me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Në pranga është vënë Franko Broci, banues në fshatin Kosan, Malësi e Madhe. Ai u lokalizua dhe u arrestua gjatë një tjetër faze të operacionit policor të koduar “Fast”, të zhvilluar nga FAST Albania në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Sipas Policisë, Broci ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykatësi për Hetimet Paraprake pranë Gjykatës së L’Aquila-s kishte lëshuar ndaj tij një urdhër-arrest.
Autoritetet italiane e akuzojnë 32-vjeçarin për “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Prishje të vulave të vendosura nga autoritetet”, vepra të parashikuara nga legjislacioni penal italian.
Pas informacioneve të siguruara për vendndodhjen e tij, shërbimet operacionale arritën ta lokalizonin në fshatin Kosan, ku u krye arrestimi provizor me qëllim ekstradimin.
Interpol Tirana dhe Interpol Roma po vijojnë procedurat për ekstradimin e Franko Brocit drejt Italisë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






