

Banorët e Lagjes nr. 15 në Durrës kanë protestuar kundër grumbullimit të mbetjeve në zonën e banuar, duke denoncuar ndotjen dhe erën e rëndë. Sipas tyre, vendgrumbullimi i krijuar si zgjidhje e përkohshme vijon të funksionojë prej vitesh.
Banorët e Spitallës janë ngritur në protestë për situatën e krijuar nga depozitimi i mbetjeve urbane pranë zonës së banuar. Ata thonë se kamionët vijojnë të sjellin mbetje, duke e kthyer zonën në një landfill dhe duke krijuar probleme të vazhdueshme me ndotjen dhe aromën e rëndë.
Sipas banorëve, pastrimi nga Bashkia e Durrësit nuk ka qenë i mjaftueshëm, ndërsa vendgrumbullimi që fillimisht u konceptua si një zgjidhje tranzitore vijon të përdoret prej më shumë se tre vitesh. Ata shprehen se vendi i ri tranzit i premtuar nga bashkia ende nuk është ndërtuar.
Një prej banorëve deklaroi se situata prek më shumë se 300 familje dhe se protesta nuk ka motiv politik, por lidhet me kushtet e jetesës dhe shqetësimet për shëndetin e fëmijëve.
“Janë mbi 300 familje që preken. Nuk jemi këtu për arsye politike. Ne kemi dalë për problemin tonë, për fëmijët tanë. Ka mbi 3 vite që nuk hapim dritaret, është e pamundur. Po kërkojmë të hiqen plehrat, të bëhet gjëja më minimale”, u shpreh ai.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për largimin e mbetjeve dhe zgjidhjen përfundimtare të problemit. Ata i kanë bërë thirrje drejtuesve të shërbimeve të pastrimit që të shkojnë në zonë dhe të përballen nga afër me situatën.
“Drejtorët që punojnë në komunale të vijnë të qëndrojnë vetëm 30 minuta këtu dhe ta kuptojnë se çfarë po ndodh”, deklaroi banori.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






