Transmetuar më 20-08-2026, 10:31

Qytetarët që kanë përfituar vendim për kalimin në pronësi të banesave të ndërtuara para vitit 1991, oborreve në përdorim apo trojeve funksionale, mund ta regjistrojnë pronësinë përmes portalit e-Albania. Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka publikuar hapat që duhet të ndjekin qytetarët për të përfunduar procedurën.

Sipas Kadastrës, përmes kësaj procedure qytetarët mund të pajisen me dokumentacionin e plotë të pronësisë për pasurinë e tyre.

Hapat që duhet të ndiqni

Fillimisht, qytetari duhet të hyjë në llogarinë personale në portalin e-Albania dhe të zgjedhë shërbimin:

“Aplikim për regjistrimin e kalimit të pronësisë me anë të ligjit, me vendim të gjykatës, apo të një akti administrativ”.

Pas zgjedhjes së shërbimit, duhet të klikohet opsioni “Përdor” dhe më pas të krijohet një aplikim i ri, duke plotësuar të dhënat e kërkuara.

Në vijim, aplikanti duhet të zgjedhë nënshërbimin “Regjistrim i kalimit të pronësisë me anë të aktit administrativ të lëshuar nga ASHK”.

Pas këtij veprimi, sistemi shton automatikisht edhe shërbimet për lëshimin e certifikatës së pronësisë, kopjen e kartelës së pasurisë së paluajtshme dhe kopjen e fragmentit të hartës kadastrale.

Pasi aplikimi të jetë plotësuar, qytetari duhet ta dërgojë atë, të shkarkojë mandatin dhe të kryejë pagesën përkatëse.

Pagesa mund të bëhet online, pranë Postës Shqiptare ose në bankat e nivelit të dytë.

ASHK sqaron gjithashtu se informacioni mbi dokumentacionin e nevojshëm për shërbimet kadastrale mund të gjendet në faqen zyrtare të institucionit, në rubrikën “Shërbime”.

Procedura synon t’u mundësojë qytetarëve që kanë përfituar kalimin e pronësisë për banesat e vjetra dhe pasuritë përkatëse, të përfundojnë regjistrimin dhe të pajisen me dokumentet zyrtare të pronësisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit