Transmetuar më 20-08-2026, 07:48

TIRANË – Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës është përshkallëzuar gjatë natës, me sulme të ndërsjella me dronë dhe raketa. Një sulm masiv rus goditi Kievin, ku raportohet për viktima dhe dhjetëra të plagosur, ndërsa një dron rus hyri në hapësirën ajrore të Rumanisë dhe u rrëzua në një zonë të pabanuar.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, deklaroi se disa ndërtesa në kryeqytetin ukrainas u goditën nga raketat, mes tyre edhe një spital pediatrik. Sipas të dhënave të raportuara, nga sulmet humbën jetën të paktën 6 persona, ndërsa 23 të tjerë u plagosën.

Sulmet ajrore u shtrinë edhe në zona të tjera. Në Krime, disa qytete mbetën pa energji elektrike pas një serie shpërthimesh të raportuara në Sevastopol dhe pranë termocentralit të Simferopolit, sipas forcave ukrainase.

Droni rus hyn në hapësirën ajrore të Rumanisë

Gjatë ofensivës së re ajrore ruse kundër Ukrainës, një dron hyri në hapësirën ajrore rumune dhe më pas u rrëzua në një zonë të pabanuar pranë Grindut.

Incidenti shkaktoi rritjen e masave të sigurisë në rajon. Dy avionë luftarakë spanjollë dhe një helikopter i ushtrisë rumune u angazhuan gjatë natës në monitorimin e situatës.

Polonia mobilizon forcat ajrore

Për shkak të sulmeve pranë kufirit, edhe Polonia aktivizoi forcat e saj ajrore. Autoritetet polake mobilizuan avionët për të monitoruar hapësirën ajrore dhe për të parandaluar çdo incident të mundshëm.

Përshkallëzimi i sulmeve dhe hyrja e një droni në hapësirën ajrore të një vendi anëtar të NATO-s kanë rritur shqetësimet për sigurinë në krahun lindor të Aleancës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit