

Durrës, 19 gusht 2026 – Dalin detaje të reja nga ekspertiza për aksidentin tragjik të ndodhur rreth orës 02:22 të së mërkurës në Durrës, ku humbën jetën tre persona, mes tyre çifti i sapomartuar Kleo Vrioni dhe Sara Brugentelli, si dhe një 15-vjeçar.
Sipas konkluzioneve të ekspertëve, automjeti në momentet para aksidentit po lëvizte me një shpejtësi prej rreth 114 km/orë.
Nga rindërtimi i dinamikës së aksidentit rezulton se, gjatë marrjes së një kthese, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi mjetin. Goma e parë në krahun e pasagjerit ka goditur fillimisht bordurën, duke shkaktuar humbje të mëtejshme të stabilitetit të automjetit.
Pas përplasjes me bordurën, automjeti është përmbysur dhe ka vijuar të zvarritet për rreth 40 metra, deri në momentin e ndalimit.
Një tjetër element i rëndësishëm i ekspertizës lidhet me gjendjen e drejtuesit të automjetit. Analizat toksikologjike kanë konfirmuar se ai kishte konsumuar alkool në momentin e aksidentit.
Si pasojë e përplasjes, tre persona humbën jetën, ndërsa dy të tjerë vijojnë të marrin trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive për aksidentin vijojnë.


Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






