Transmetuar më 19-08-2026, 22:48

ABU DHABI – Emiratet e Bashkuara Arabe kanë pezulluar të gjitha transaksionet tregtare dhe financiare me Iranin, në një lëvizje që pritet të rrisë ndjeshëm presionin ekonomik ndaj Teheranit, raporton Bloomberg.

Vendimi vjen në një moment të përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe pas raportimit për një kërcënim me raketa ndaj trafikut detar pranë Emirateve. Ministria e Mbrojtjes së Emirateve deklaroi se dy raketa balistike të lëshuara nga Irani kishin synuar trafikun detar, ndërsa Teherani ka mohuar përgjegjësinë për sulmin.

Disa orë më vonë, Ministria e Jashtme e Emirateve njoftoi pezullimin e transaksioneve me Iranin. Në deklaratë nuk iu referua drejtpërdrejt incidentit me raketat, por vendimi u justifikua me “përshkallëzimet që dëmtojnë paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare”.

Masa është veçanërisht e rëndësishme për Iranin, pasi Emiratet kanë qenë prej vitesh një qendër kryesore financiare dhe tregtare për bizneset iraniane. Dy vendet kanë zhvilluar lidhje të konsiderueshme ekonomike, ndërsa Emiratet janë kthyer në një nga partnerët më të rëndësishëm tregtarë të Iranit.

Ekspertët vlerësojnë se ndërprerja e këtyre kanaleve mund të ketë pasoja të forta për ekonominë iraniane, veçanërisht në një periudhë kur Teherani po përballet edhe me presionin ekonomik të Shteteve të Bashkuara.

“Kompanitë iraniane kanë kaluar dekada duke zhvilluar rrjete dhe kontakte tregtare në Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha Cyrus Razagi, drejtues i kompanisë konsulente Ara Enterprise, duke e cilësuar një embargo të mundshme të Emirateve si potencialisht më të dëmshme për ekonominë iraniane sesa disa prej sanksioneve perëndimore.

Vendimi i Abu Dhabit shënon një përkeqësim të ndjeshëm të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, të cilat gjatë muajve të fundit kishin bërë përpjekje për uljen e tensioneve, përfshirë edhe kontakte mes zyrtarëve të sigurisë.

Pezullimi i transaksioneve pritet të ndikojë jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe në rolin e Dubait si një prej qendrave kryesore financiare dhe tregtare të rajonit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit