Transmetuar më 19-08-2026, 22:41

PRISHTINË – Në përpjekjet për të zgjidhur ngërçin politik në Kosovë dhe për të gjetur një kandidat konsensual për postin e Presidentit, janë bërë të ditur dy emra që raportohet se janë diskutuar gjatë takimit mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Bëhet fjalë për profesorin Ibrahim Berisha dhe Iljaz Ramajlin, ish-nënkryetar i Kuvendit Krahinor në vitet ’90.

Takimi mes përfaqësuesve të VV-së dhe LDK-së u zhvillua një ditë më parë, me fokus gjetjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm. Pas takimit, kryeministri Albin Kurti deklaroi se palët kishin diskutuar kriteret që duhet të plotësojë kreu i ri i shtetit, por nuk bëri publikë emrat e kandidaturave.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha ndërkohë se palët kishin rënë dakord që në takimin e radhës të paraqiten me emra konkretë.

Megjithatë, dy emrat e diskutuar tashmë duket se nuk janë të gatshëm të marrin përsipër kandidimin.

Profesori Ibrahim Berisha ka refuzuar përfshirjen në diskutimet për postin e Presidentit, duke deklaruar se angazhimi i tij mbetet i përqendruar te kultura, letërsia dhe komunikimi.

Edhe Iljaz Ramajli nuk pritet të jetë kandidat. Familjarë të tij kanë deklaruar se ai nuk do ta pranojë kandidaturën për President.

Në këtë situatë, analisti Arnbor Sadiku ka interpretuar qëndrimin e Vetëvendosjes si një përpjekje për të gjetur një figurë me profil të ulët politik dhe pa ambicie për të konkurruar me Albin Kurtin.

“Lëvizja Vetëvendosje po kërkon një president i cili është, le të themi, jo ambicioz në politikë, por një njeri që pothuajse i ka skaduar karriera dhe si i tillë nuk i bën konkurrencë z. Kurtit, por është më tepër si rojtar i shtëpisë”, u shpreh Sadiku.

Sipas analistit, mbetet e vështirë të gjendet një kandidaturë konsensuale, ndërsa ai vlerëson se qëndrimi i VV-së lë të hapur mundësinë që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Bisedimet mes dy forcave politike pritet të vijojnë, ndërsa në takimin e radhës palët do të përballen me nevojën për të paraqitur kandidatura konkrete për postin e Presidentit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit