Transmetuar më 19-08-2026, 22:38

PRISHTINË – Richard Grenell, i dërguari presidencial i SHBA-së për misione të posaçme dhe ish-i dërguari amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke e bërë atë përgjegjës për krizën politike dhe ngërçin institucional në Kosovë.

Në një përgjigje me shkrim për “Gazetën Express”, Grenell deklaroi se situata politike në Kosovë është pasojë e qeverisjes së Kurtit. Sipas tij, kryeministri nuk ka arritur të luftojë korrupsionin dhe ka vijuar, sipas tij, të krijojë bllokada dhe barriera, një sjellje që Grenell e lidh edhe me periudhën kur Kurti ishte në opozitë.

“Ai qartësisht nuk di si të qeverisë”, u shpreh Grenell, duke shtuar se Kurti është më i përshtatshëm për të drejtuar kritika nga opozita sesa për të udhëhequr një qeveri.

Grenell foli edhe për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po përballet me proces gjyqësor në Hagë. Sipas tij, Perëndimi dëshiron që Thaçi të lirohet dhe të rikthehet në Kosovë për të kontribuar në drejtimin e vendit.

“Perëndimi do që ish-presidenti Hashim Thaçi të lirohet dhe të kthehet që të ndihmojë për ta udhëhequr Kosovën përsëri”, deklaroi Grenell.

Ai shtoi se, sipas tij, Thaçi mund të rikthehet me “perspektivë dhe energji të ripërtërirë” për Kosovën, ndërsa kritikoi sërish Kurtin për mënyrën e qeverisjes.

“Perëndimi nuk do të punojë më me Kurtin, sepse ai vetëm ankohet dhe krijon bllokada”, tha Grenell.

Deklaratat e Grenell vijnë në një moment kur Kosova përballet me një situatë të tensionuar politike dhe ngërç institucional, ndërsa kritikat e tij ndaj qeverisë së Kurtit kanë qenë të vazhdueshme edhe më herët.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit