

TIRANË – Grupi i Mbarëvajtjes dhe Koordinimit të Protestës i është drejtuar Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe një sërë institucionesh ndërkombëtare, duke kërkuar dërgimin e vëzhguesve të pavarur në protestat e ardhshme.
Në kërkesën e tyre, organizatorët kërkojnë që përfaqësues ndërkombëtarë të jenë të pranishëm gjatë protestave, të ndjekin nga afër zhvillimet dhe të dokumentojnë mënyrën se si autoritetet shqiptare menaxhojnë tubimet dhe trajtojnë protestuesit.
Kërkesa i është adresuar Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian, Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, OSBE/ODIHR-it, Këshillit të Evropës, Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe përfaqësive diplomatike të akredituara në vend.
Grupi argumenton se protestat, të nisura në fund të majit, kanë vijuar sipas tyre në mënyrë qytetare dhe paqësore. Në të njëjtën kohë, organizatorët shprehin shqetësime për mënyrën e ndërhyrjes së autoriteteve gjatë protestave.
Në dokument ngrihen pretendime për përdorim të forcës, gazit lotsjellës, sprajit me piper dhe ujit me presion gjatë tubimeve përpara Kuvendit të Shqipërisë. Organizatorët pretendojnë gjithashtu se në disa raste përdorimi i gazit lotsjellës nuk është paraprirë nga paralajmërime publike dhe se ka pasur raste të përdorimit të forcës gjatë shoqërimit dhe transportimit të protestuesve.
Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me personat vulnerabël. Sipas grupit, gjatë ndërhyrjeve policore janë prekur edhe të rinj, të moshuar, persona me probleme shëndetësore dhe persona me aftësi të kufizuara.
Përmes kërkesës, grupi koordinator kërkon që institucionet ndërkombëtare të dërgojnë vëzhgues të pavarur në protestat e ardhshme për të verifikuar në terren pretendimet për përdorim joproporcional të forcës, shoqërime, procedime dhe intimidim të protestuesve.
Organizatorët kërkojnë gjithashtu krijimin e një kanali të qëndrueshëm komunikimi me mekanizmat ndërkombëtarë dhe një monitorim të pavarur të protestave.
Sipas tyre, prania e vëzhguesve ndërkombëtarë do të shërbente si një garanci shtesë për dokumentimin objektiv të zhvillimeve dhe respektimin e të drejtave të protestuesve.



Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






