

TIRANË – Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre.
Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes deri në orën 20:00, gjatë ditës janë evidentuar gjithsej 7 vatra zjarri. Pesë prej tyre mbeten aktive, ndërsa dy të tjera janë nën monitorim.
Në terren janë angazhuar rreth 130 forca operacionale vendore, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 90 efektivë dhe dy helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat aktive janë në zonat e Dajtit dhe Priskës në Tiranë, Lufaj në Mirditë, Tërbun-Gojan në Pukë dhe Shashicë në Selenicë.
Situata më e ndjeshme raportohet në Tërbun-Gojan, ku erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e flakëve. Forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa strukturat e MZSH-së janë përqendruar në mbrojtjen e banesave. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Në Dajt, operacioni vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 forca të MZSH-së dhe 5 forca të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura. Edhe në Priskë vijojnë të jenë të angazhuara forcat e MZSH-së, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Lufaj, zjarri mbetet aktiv me intensitet të ulët dhe po mbahet nën kontroll nga Shërbimi Pyjor dhe MZSH-ja.
Ndërkohë, në Gurë-Lurë zjarri është shuar dhe zona vijon të monitorohet. Në Qafë Helmes, vatra është izoluar dhe operacionet vijojnë me forcat lokale.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë koordinimin e ndërhyrjeve në të gjitha zonat e prekura, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe banesave, si dhe izolimin e plotë të vatrave aktive.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






