

TIRANË – Protesta qytetare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e 81-të të saj, ndërsa aktivisti Arben Kola ka paralajmëruar një rikthim masiv të qytetarëve në protestë gjatë muajit shtator.
Në një deklaratë lidhur me vijimin e protestës, Kola e cilësoi qëndrueshmërinë e saj si një rast të veçantë, duke e përshkruar si një “film të bukur”. Sipas tij, zgjatja për 81 ditë radhazi ka treguar një nivel të lartë të ndërgjegjësimit qytetar.
Aktivisti tha se në protestë po përfshihen gjithnjë e më shumë grupmosha të ndryshme, duke veçuar veçanërisht të rinjtë dhe moshën e tretë.
Kola parashikon që në shtator, me rikthimin në Tiranë të familjeve dhe studentëve pas periudhës së verës, pjesëmarrja në protesta të rritet ndjeshëm. Ai paralajmëroi gjithashtu se, nëse nuk do të ketë reflektim nga qeveria, protestat mund të përshkallëzohen drejt formave të mosbindjes civile.
Sipas aktivistit, reagimi i parë që duhej të kishte ardhur nga qeveria ishte dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.
Kola vlerësoi gjithashtu mënyrën e zhvillimit të protestës, duke pretenduar se ajo ka treguar qytetari dhe një qasje të orientuar drejt modeleve perëndimore. Ai e lidhi këtë qëndresë edhe me procesin e integrimit europian, duke deklaruar se shqiptarët janë të gatshëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por sipas tij, qeverisja aktuale përbën pengesë për këtë proces.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






