Transmetuar më 19-08-2026, 19:32

TIRANË – Qeveria portugeze ka reaguar pas vrasjes së turistit 20-vjeçar Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil, duke bërë të ditur se po ndjek nga afër rastin përmes përfaqësive të saj diplomatike.

Ministria e Punëve të Jashtme të Portugalisë është vënë në kontakt me autoritetet shqiptare për të marrë informacion mbi rrethanat e ngjarjes dhe veprimet e ndërmarra pas vrasjes.

Në një deklaratë për median portugeze “Renascença”, Raquel Trindade, nga zyra e ministrit të Jashtëm, tha se çështja po ndiqet përmes Ambasadës së Portugalisë në Romë dhe Konsullatës së Nderit në Tiranë.

“Ministria e Punëve të Jashtme po ndjek rastin e këtij shtetasi portugez që humbi jetën në Shqipëri dhe, përmes ambasadës sonë në Romë, si dhe konsullatës së nderit në Tiranë, po e ndjekim çështjen me autoritetet vendase”, tha Trindade.

Ajo theksoi se autoritetet portugeze ende nuk kanë një informacion të plotë dhe zyrtar mbi dinamikën e ngjarjes. Sipas saj, për arrestimet e kryera në Shqipëri, Ministria e Jashtme portugeze ka mësuar përmes raportimeve të mediave lokale.

Luis Miguel Varela Mendes

“Për momentin, ende nuk e dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur. Nga mediat lokale dimë se ka pasur arrestime, por për momentin ende nuk kemi informacion përmes rrjetit tonë që mund ta përcjellim”, deklaroi ajo për “Renascença”.

Ministria e Jashtme e Portugalisë ka bërë të ditur se do të vijojë të ndjekë rastin në bashkëpunim me autoritetet shqiptare, si dhe në komunikim me familjarët e viktimës.

Luis Miguel Varela Mendes u vra në orët e para të 18 gushtit në Ksamil, pas një konflikti që nisi në ambientet e lokalit “Principote” dhe vijoi më pas në zonën e plazhit. Sipas autoriteteve shqiptare, në lidhje me ngjarjen janë arrestuar 11 persona, ndërsa disa të tjerë janë shpallur në kërkim.

Media portugeze, duke iu referuar raportimeve nga Shqipëria, shkruan se i dyshuari kryesor për goditjen me thikë është një 29-vjeçar. Sipas “Renascença”, ai ka precedentë në Mbretërinë e Bashkuar për vepra penale që lidhen me trafikun e drogës, armëmbajtjen dhe drejtimin e rrezikshëm të automjetit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit