

KSAMIL – Në foto është Luis Miguel Varela Mendes 20-vjeçari portugez që humbi jetën pas një konflikti të dhunshëm në një lokal në Ksamil, në orët e para të 18 gushtit.
I riu kishte mbërritur në Ksamil vetëm dy ditë para ngjarjes, së bashku me një grup turistësh francezë. Sipas të dhënave të bëra publike, grupi kishte planifikuar të vijonte udhëtimin drejt Spanjës më 26 gusht.
Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një feste në lokalin “Principote”, ku performonin DJ francezë. Sipas hetimeve paraprake, një debat që dyshohet se nisi për shkak të zhurmës u përshkallëzua dhe konflikti vijoi më pas në zonën e plazhit.
Sipas versionit të policisë, shtetasi francez David Heurtevent është përfshirë në konfliktin fizik me 20-vjeçarin, ndërsa punonjësi i sigurisë Sokrat Lipan, i njohur edhe si Sokrat Vata, dyshohet se e ka goditur Mendes me thikë. Turisti portugez ndërroi jetë në vendngjarje.
I dyshuari Sokrat Vata ka deklaruar se thika i përkiste viktimës dhe se ia kishte marrë asaj gjatë përleshjes, përpara se ta godiste. Ky version është pjesë e hetimit dhe po verifikohet nga autoritetet.
Pas ngjarjes, Vata u arrestua në Levan, ku sipas policisë ishte fshehur në bagazhin e një automjeti të një çifti turk. Autoritetet dyshojnë se ai po tentonte të largohej drejt Tiranës.
Ndërkohë, David Heurtevent dhe pronari i lokalit, Bekim Bulica, vijojnë të jenë në kërkim.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar edhe persona të tjerë, mes tyre katër kamerierë dhe katër punonjës të sigurisë. Sipas dyshimeve të hetuesve, ata nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe nuk kanë kallëzuar ngjarjen.
Në total, për ngjarjen e rëndë janë arrestuar 11 persona. Hetimet vijojnë për të dokumentuar të plotë dinamikën e konfliktit, rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe rrethanat që çuan në vdekjen e turistit portugez.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






