Transmetuar më 19-08-2026, 14:48

Një konflikt mes disa grupeve të miturish në Tiranë është parandaluar nga Policia, pasi të rinjtë dyshohet se ishin organizuar për t’u përleshur në zonën e Kombinatit.

Sipas burimeve policore, konflikti dyshohet se ka nisur në rrjetin social TikTok, pas pretendimit të njërit prej të miturve se motra e tij ishte ngacmuar në rrjetet sociale. Pas këtij episodi, i mituri dyshohet se ka mbledhur një grup të rinjsh me qëllim për t’u përballur me personat që i konsideronte përgjegjës.

Të rinjtë ishin organizuar në disa grupe, me pjesëmarrës nga zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë Selitën, Yzberishtin, 21 Dhjetorin dhe ish-Parkun.

Burimet bëjnë me dije se, përpara konfliktit të dyshuar, disa prej grupeve janë filmuar duke realizuar video me veshje të zeza, të cilat më pas janë publikuar në TikTok. Më pas, ata dyshohet se janë nisur drejt Kombinatit, duke mbajtur me vete mjete të ftohta, me qëllim për t’u përballur fizikisht.

Policia, pasi ka marrë informacion për një konflikt të mundshëm, ka ndërhyrë përpara se situata të përshkallëzohej. Të miturit janë lokalizuar në rrugën “Llambi Bonata”, ku, sipas uniformave blu, ishin ndarë në grupe dhe dyshohej se po përgatiteshin për përplasje.

Gjatë kontrollit fizik, policia ka gjetur te disa prej tyre thika, kaçavida dhe mjete të tjera të mprehta. Në total janë sekuestruar pesë mjete të ftohta, të cilat janë marrë në cilësinë e provës materiale.

Në kuadër të ndërhyrjes janë shoqëruar 28 të mitur, të moshave 13 deri në 17 vjeç. Pas veprimeve të para hetimore, ata janë proceduar në gjendje të lirë.

Familjarët e të miturve janë njoftuar, ndërsa veprimet procedurale janë kryer në praninë e prindërve dhe psikologëve. Pas komunikimit me prokurorin, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e plota të konfliktit dhe rolin e secilit prej të miturve të përfshirë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit