Transmetuar më 19-08-2026, 12:24

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur zyrtarisht procedurat për zgjidhjen e kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke i dërguar një shkresë zyrtare shoqërisë koncesionare "Vlora International Airport" (VIA), ortakëve të saj dhe financuesit të projektit, Bankës Kombëtare Tregtare.

Sipas dokumentit, shkaku kryesor i këtij vendimi është mosrespektimi i afateve të operimit. Kontrata parashikon se Autoriteti Kontraktues ka të drejtë ta prishë marrëveshjen nëse aeroporti nuk nis punën brenda 90 ditëve pas datës së synuar të operimit (e cila ishte caktuar më 20 shkurt 2026, ndërsa afati 90-ditor pasues përfundoi më 20 maj 2026). Qeveria argumenton se koncesionari ka dështuar ta vërë aeroportin në punë dhe ka ndryshuar afatet në mënyrë të njëpasnjëshme pa ofruar një datë të qëndrueshme, duke i shtyrë ato fillimisht në gusht 2026, më pas në mars 2027 dhe së fundmi duke hequr çdo afat konkret.

Në vendimin e qeveriei theksohen gjithashtu këto problematika kryesore:

Konflikti mes ortakëve: Ministria thekson se përplasjet dhe mosmarrëveshjet gjyqësore mes aksionerëve lidhur me transferimin e kuotave dhe marrëveshjen e huasë prej 100 milionë eurosh (marrë nga fondi Delphos) kanë krijuar pengesa të pakapërcyeshme në funksionimin e shoqërisë.

Mungesa e kapaciteteve: Sipas qeverisë, ndryshimi i vazhdueshëm i afateve dëshmon pamundësinë e koncesionarit për të përmbushur detyrimet kontraktore dhe për të angazhuar kapacitetet e duhura njerëzore e financiare.

Përballë këtij ngërçi dhe për të mbrojtur interesat e shtetit, MIE ka vendosur të zbatojë nenin 15.4 të kontratës për t’i dhënë fund marrëveshjes koncesionare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit