

Vuajtje pa fund: Kamarierët e dhunuan, truproja e goditi me thikë. Ikja nga kjo botë e të riut portugez në Ksamil, nisi nga një beach bar e vijoi në tjetrin. Badiguardët punonjës policie, bashkie dhe burgjesh nuk reaguan. Të gjithë emrat dhe të dhënat e fundit
VLORË – Detajet hetimore për vrasjen e turistit portugez në Ksamil janë bërë më të plota orët e fundit pasi kanë dalë në publik emrat e personave të përfshirë në hetimin e gjerë të ngjarjes që tronditi jugun e vendit.
Përfshirja në dosjen penale edhe të 4 punonjësve policorë
Në qendër të hetimit janë mes të tjerash, dy punonjës të policisë së shtetit dhe asaj bashkiake. Ata bënin punë të dytë si truproje në beach bar Principotes në Ksamil dhe dyshohet se nuk ndërhynë për të parandaluar konfliktin që më pas përfundoi me vrasjen e 21 vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil.
Miosid Matushaj, punonjës i Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Gjirokastër, dhe Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër janë dy policët e pezulluar dhe nën hetim.
Dosja hetimore sugjeron se Shehu dhe Matushaj ndodheshin në “Principotes” në momentin kur nisi konflikti që më pas përfundoi me vrasjen e turistit.
Ata kishin shkuar në lokal në rolin e bodyguard-ëve dhe presupozohet se në detyrë duhej të garantonin sigurinë në ambientet e lokalit.
Por hetimi sugjeron se gjatë konfliktit ata nuk kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës. Pas ngjarjes, gjithashtu nuk kanë njoftuar zyrtarët e Policisë së Shtetit për vrasjen. Për këtë arsye, ndaj tyre është marrë masa e pezullimit nga detyra.
Në dosje ka dhe akuza penale: Miosid Matushaj është arrestuar dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për “Moskallëzim të krimit” dhe “Mosmarrje të masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.
Edhe Romeo Shehu, punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër, raportohet të ketë qenë pjesë e grupit të personave që ushtronin funksionin e sigurisë në “Principote”. Për të, hetimet lidhen me përgjegjësinë për moskallëzimin e ngjarjes.
Sakaq në dosjen hetimore rezulton se në momentin e konfliktit në “Principotes” ndodheshin edhe dy persona të tjerë që ushtronin funksione sigurie. Policia ka referuar në Prokurori përgjegjësitë e tyre për veprimet dhe mosveprimet para dhe pas vrasjes.
Vala e arresteve
Ngjarja pasoi me valën e arrestimeve. Në Levan u arrestua Sokrat Vata ndërsa udhëtonte në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga shtetasja turke Ezgi Perlak, 31 vjeçe, dhe pasagjer shtetasi turk Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, të cilët kishin njohje me autorin e dyshuar dhe e kishin fshehur në makinë, me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës për t’i shpëtuar ndjekjes policore.
Po në kuadër të veprimeve për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit, në Komisariatin e Policisë Sarandë u shoqëruan 41 shtetas.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Sokrat Lipan alias Sokrat Vata 29 vjeç, banues në fshatin Helshan, Has;
Nuh Mahmutoglu, dhe Ezgi Perlak, 38 vjeç dhe 31 vjeçe, të dy me shtetësi turke
Serxhi Selimi, 24 vjeç, banues në Ersekë;
Ervis Bunci, 24 vjeç, banues në Peshkopi;
Ildi Cekani 21 vjeç, banues në Librazhd;
Murat Zhabina 27 vjeç, banues në Elbasan;
Miosid Matushaj 24 vjeç, banues në Gjirokastër;
Luciano Seferi, 44 vjeç, banues në Gjirokastër;
Romeo Shehu 35 vjeç, banues në Gjirokastër;
Kristi Koshi 29 vjeç, banues në Gjirokastër.
U shpall në kërkim shtetasi David Heurtevent 29 vjeç, banues në Tiranë.
Vuajtje pa fund: Kamarierët e dhunuan, truproja e goditi me thikë, si u vra turisti portugez në Ksamil. Badiguardët punonjës policie dhe burgjesh nuk reaguan
Ajo që ndodhi dje herët në mëngjes në Ksamil mund të konsiderohet një histori e shëmtuar dhe plot elementë që tregojnë se i riu portugez ka vdekur mes vuajtjesh.
Në dinamikën e plotë të vrasjes së turistit 21-vjeçar portugez në Ksamil, vërehet se në orën 05:15, të datës 18 gusht 2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, Sokrat Vata, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin portugez Luis Miguel Varela Mendes, 21 vjeç.
Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi David Heurtevent, tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 21-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa shtetasit Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Murat Zhabina dhe Ildi Cekani, të cilët janë kamarierë në lokalin “Principote”, dyshohet se janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 21-vjeçarin, para se i dyshuari Sokrat Vata ta godiste me mjet prerës portugezin Luis Miguel Varela Mendes. Që të gjithë pas këtyre slenavex janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Në momentin që ndodhte kjo, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve Miosid Matushaj (punonjës policie Gjirokastër), Luciano Seferi (punonjës i burgut Fier), Romeo Shehu (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe Kristi Koshi.
Sipas hetimit, këta kanë pasur rolin e sigurisë dhe akuzohen se nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar zyrtarët e Policisë së Shtetit.
"Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit S. V. dhe D. H., për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim; për shtetasit N. M. dhe E. P., për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit S. S., E. B., M. Zh., I. C., L. S., K. K., dhe R. Sh., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin M. M., për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë””, deklaroi zyrtarisht policia e Vlorës.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






