

Mediat portugeze kanë pasqyruar ngjarjen e rëndë të regjistruar në Ksamil, ku një 20-vjeçar portugez, i identifikuar me inicialet L.V., u theksua se u vra pas një konflikti në një lokal nate.
Sipas raportimeve të referuara nga mediat e huaja dhe ato vendase, i riu dyshohet se është sulmuar me thikë brenda ambienteve të lokalit "Principote" rreth orës 2:30 të mëngjesit dhe më pas trupi i tij është transportuar dhe lënë në një shezlong plazhi, ku u gjet rreth tre orë më vonë nga autoritetet. Konflikti dyshohet se ka nisur për motive xhelozie apo çështje që lidhen me një grua.
Për këtë ngjarje tragjike, Policia e Shtetit ka arrestuar 11 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim. Autori i dyshuar i goditjes me thikë në shpinë dhe gjoks është identifikuar si Sokrat Vata, 29 vjeç, i cili u kap duke u arratisur i fshehur në bagazhin e një makine të drejtuar nga dy shtetas turq. Vata ka precedentë penalë në Mbretërinë e Bashkuar për trafik droge, armëmbajtje dhe drejtim të rrezikshëm, ndërsa në lokal dyshohet se punonte si punonjës sigurie.
Në mesin e të arrestuarve për këtë ngjarje janë edhe një punonjës policie dhe një efektiv i policisë bashkiake të Gjirokastrës, të cilët shërbenin si staf sigurie në lokal dhe nuk ndërhynë për të parandaluar krimin. Gjithashtu, pronari i lokalit, Bekim Bulica – i cili ka precedentë të mëparshëm për sulm ndaj një efektivit – bashkë me katër punonjës të tjerë, janë vënë në pranga ose merren në pyetje për mosraportim të krimit dhe largim nga vendi i ngjarjes pa njoftuar autoritetet.
Ndërkohë, policia vijon kërkimet për dy persona të tjerë, përfshirë një 36-vjeçar me iniciale D.H., i cili dyshohet si bashkëautor i vrasjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






