

Një 30-vjeçar shqiptar, Vilson Gjinaj, është shpallur fajtor nga gjykata në Skoci pasi u zbulua i bllokuar brenda një ambienti industrial të shndërruar në "shtëpi bari", vlera e së cilës kap shifrën deri në rreth 1 milion paund.
Gjinaj u deklarua fajtor në Gjykatën Sheriff të Kilmarnock për prodhimin e kanabisit nga dhjetori i vitit të kaluar deri në shkurt të këtij viti. Ngjarja u zbulua më 3 shkurt, pasi policia u thirr pas raportimeve për erë të fortë kanabisi dhe aktivitet të pazakontë në një ish-ndërtesë motorësh në rrugën Canal Street.
Kur efektivët mbërritën në vendngjarje, dëgjuan zhurmën e ventilatorëve dhe lëvizje nga brenda. 30-vjeçari u tha autoriteteve se kishte mbetur i bllokuar brenda objektit për dy ditë, pasi dera kryesore kishte ngecur ose ishte bllokuar. Për shkak të pamundësisë për të hyrë nga dera kryesore, u desh ndërhyrja e zjarrfikësve, të cilët arritën të depërtonin nga pjesa e pasme e ndërtesës.
Sapo policia hyri brenda, Gjinaj u dorëzua vullnetarisht. Brenda hapësirës, e cila ishte përshtatur gjithashtu për banim me krevat, pajisje gatimi, ushqim dhe ujë, u zbuluan gjithsej 1,563 bimë kanabisi në fazë rritjeje. Vlera e vlerësuar e drogës llogaritet mes 312,600 dhe 937,800 paund.
Pas kontrollit shëndetësor që konfirmoi se i riu nuk kishte pësuar lëndime, ai u arrestua dhe u vu në pranga. Avokati mbrojtës kërkoi përgatitjen e raporteve mbi rrethanat personale të të pandehurit, duke theksuar se ai nuk ka precedentë penalë. Sherifja Sheena Fraser e la Gjinajn në paraburgim dhe shtyu caktimin e dënimit për një datë të mëvonshme këtë vit.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






