Transmetuar më 19-08-2026, 08:33

KSAMIL- Detaje të reja janë bërë publike lidhur me vrasjen e një 20-vjeçari portugez në Ksamil, ngjarje e ndodhur në orët e para të mëngjesit të 18 gushtit. Policia ka arrestuar 11 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas hetimeve, konflikti nisi në ambientet e lokalit “Principote” dhe vijoi më pas në plazhin e lokalit “Paradise”. Gjatë përplasjes, 20-vjeçari portugez L. V. dyshohet se u godit disa herë me thikë dhe për pasojë humbi jetën.

I dyshuari kryesor u kap i fshehur në bagazhin e një makine

I dyshuari kryesor për vrasjen, Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, 29 vjeç, banues në Helshan të Hasit, u kap paraditen e 18 gushtit në Levan të Fierit.

Sipas Policisë, ai ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që udhëtonte drejt Tiranës. Në automjet ndodheshin një 31-vjeçare dhe një 38-vjeçar, të dy shtetas turq, të cilët kishin njohje me të dyshuarin dhe dyshohet se e kishin fshehur për ta transportuar drejt kryeqytetit.

Të dy janë arrestuar për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”.

Konflikti nisi në lokal

Sipas Policisë, rreth orës 05:15, në ambientet e “Principote” dhe më pas në plazhin “Paradise”, ka nisur një konflikt mes disa personave.

Gjatë përplasjes, Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, dyshohet se ka goditur disa herë me thikë në trup 20-vjeçarin portugez. Në të njëjtën kohë, sipas hetimeve, edhe D. H., 29 vjeç, i shpallur në kërkim, e ka goditur të riun me grushte.

Dy personat akuzohen për “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Në konflikt dyshohet se janë përfshirë edhe katër kamarierë të lokalit “Principote”. Sipas Policisë, ata e kanë goditur me grushte 20-vjeçarin përpara se ai të goditej me thikë dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Në pranga edhe personat e sigurisë

Mes të arrestuarve janë edhe katër persona që, në momentin e ngjarjes, ndodheshin në lokal në rolin e personelit të sigurisë.

Sipas hetimeve, njëri prej tyre ishte punonjës policie, një tjetër punonjës i strukturave të ekzekutimit të vendimeve penale, ndërsa një tjetër punonjës i Policisë Bashkiake.

Policia pretendon se këta persona nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit, i cili kishte nisur brenda ambienteve të lokalit, dhe pas ngjarjes nuk kanë njoftuar autoritetet.

Për ta janë ngritur akuza për “Moskallëzim të krimit”, ndërsa për njërin prej tyre edhe për “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.

Edhe pronari i lokalit, B. B., 36 vjeç, është shpallur në kërkim. Sipas Policisë, ai ndodhej në ambientet e lokalit në momentin e ngjarjes dhe më pas është larguar pa njoftuar autoritetet.

41 persona u shoqëruan në polici

Në kuadër të hetimeve, në Komisariatin e Policisë Sarandë janë shoqëruar 41 persona. Pas marrjes në pyetje dhe kryerjes së veprimeve të para hetimore, 11 prej tyre janë arrestuar, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Të arrestuarit janë:

Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, 29 vjeç; Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, shtetas turk; Ezgi Perlak, 31 vjeçe, shtetase turke; Serxhi Selimi, 24 vjeç; Ervis Bunci, 24 vjeç; Ildi Cekani, 21 vjeç; Murat Zhabina, 27 vjeç; Miosid Matushaj, 24 vjeç; Luciano Seferi, 44 vjeç; Romeo Shehu, 35 vjeç; Kristi Koshi, 29 vjeç.

Ndërkohë, në kërkim janë shpallur D. H., 29 vjeç, dhe Bekim Bulica, 36 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimin e përgjegjësive individuale të personave të përfshirë dhe kapjen e dy personave të shpallur në kërkim.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit