Transmetuar më 19-08-2026, 09:25

TIRANË- Tirana po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në mesin e destinacioneve europiane për udhëtarët që kërkojnë të vizitojnë një kryeqytet me kosto të përballueshme.

Sipas një artikulli të publikuar nga QZ.com, Tirana është shfaqur si një nga kryeqytetet më të lira në Evropë për t’u vizituar gjatë vitit 2026. Sipas vlerësimeve të cituara në artikull, një ditë e plotë në kryeqytetin shqiptar kushton rreth 60 euro, një shifër që është afërsisht një e katërta e kostos së një dite të krahasueshme në qendër të Barcelonës.

Përveç çmimeve relativisht të ulëta, në artikull vlerësohet edhe transformimi urban i Tiranës gjatë dy dekadave të fundit. Ndërtesat e periudhës komuniste janë rikualifikuar dhe hapësira të lidhura me të kaluarën e vendit janë kthyer në pika turistike.

Një prej tyre është Bunk’Art 1, i ndërtuar në një bunker në shpatin e Dajtit, ndërsa Bunk’Art 2, në qendër të kryeqytetit, u ofron vizitorëve një tjetër perspektivë mbi historinë e Shqipërisë gjatë regjimit komunist.

Edhe institucionet kulturore, si Muzeu Historik Kombëtar dhe Galeria Kombëtare e Arteve, përmenden si pjesë e ofertës turistike të qytetit, me çmime hyrjeje që mbeten më të ulëta krahasuar me standardet e Europës Perëndimore.

Nga e kaluara komuniste te jeta e natës

Artikulli ndalet edhe te Blloku, një zonë që gjatë regjimit komunist ishte e rezervuar për drejtuesit e Partisë dhe e paarritshme për qytetarët e zakonshëm.

Sot, Blloku është një nga zonat më të frekuentuara të Tiranës, me një përqendrim të lartë lokalesh, kafenesh, baresh dhe restorantesh. Sipas QZ, çmimet e ushqimit dhe pijeve mbeten relativisht të ulëta krahasuar me qytete të mëdha të Europës Perëndimore.

Një tjetër faktor që ka ndihmuar në rritjen e atraktivitetit të Tiranës është zgjerimi i lidhjeve ajrore me destinacione të ndryshme europiane. Transportuesit me kosto të ulët, përfshirë Wizz Air, kanë zgjeruar lidhjet direkte të kryeqytetit shqiptar me qytete të ndryshme të kontinentit.

Dajti dhe Riviera shqiptare, avantazh për turistët

Tirana ofron gjithashtu mundësi për të kombinuar turizmin urban me natyrën. Mali i Dajtit, i arritshëm me teleferik dhe rreth 25 kilometra nga qendra e qytetit, ofron mundësi për ecje dhe pamje panoramike.

Ndërkohë, plazhet e Rivierës Shqiptare mund të arrihen brenda pak orësh nga kryeqyteti, duke i dhënë Tiranës një avantazh për turistët që duan të kombinojnë vizitën në qytet me destinacionet bregdetare.

Sipas QZ, kombinimi i kostove të ulëta, mundësisë për të eksploruar qytetin në këmbë dhe karakterit të veçantë urban po e pozicionon Tiranën si një nga destinacionet europiane me buxhet që po fitojnë më shumë popullaritet në vitin 2026.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit