Transmetuar më 19-08-2026, 07:35

TIRANË, 19 gusht 2026 – Shqipëria vijon të renditet në nivelet më të ulëta në Europë për financimin publik të arsimit. Në vitin 2023, shpenzimet publike për arsimin në vend përbënin vetëm 2.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian ishte 4.7%, sipas të dhënave të Eurostat.

Diferenca mes Shqipërisë dhe mesatares së BE-së arrin në 1.8 pikë përqindje të PBB-së. Në terma relativë, pesha e financimit të arsimit në ekonominë shqiptare ishte rreth 38% më e ulët se mesatarja europiane.

Për të arritur nivelin mesatar të vendeve të BE-së, Shqipëria do të duhej të rriste financimin publik për arsimin me rreth 60% në raport me madhësinë e ekonomisë.

Shqipëria do të renditej e fundit në BE

Nëse Shqipëria do të përfshihej në renditjen e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ajo do të kishte përqindjen më të ulët të shpenzimeve publike për arsimin.

Në fund të renditjes së BE-së për vitin 2023 ishte Rumania, me 3% të PBB-së, e ndjekur nga Greqia me 3.3% dhe Malta me 3.4%.

Në krahun tjetër, vendet që i kushtuan pjesën më të madhe të ekonomisë financimit të arsimit ishin Suedia me 6.8%, Finlanda me 6.3% dhe Belgjika me 6.2%. Danimarka renditej gjithashtu në nivele të larta, me 6.1% të PBB-së.

Krahasuar me Suedinë, pesha e shpenzimeve shqiptare për arsimin ishte më pak se gjysma.

Edhe nën mesataren e Ballkanit Perëndimor

Shqipëria renditet në fund edhe në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor. Me 2.9% të PBB-së, financimi publik për arsimin ishte rreth 1 pikë përqindje nën mesataren e WB6, e cila ishte 3.9%.

Sipas të dhënave të OECD-së, shpenzimet për arsimin arrinin në 4.7% të PBB-së në Kosovë, 4.4% në Bosnjë-Hercegovinë, 4.1% në Malin e Zi, 3.7% në Maqedoninë e Veriut dhe 3.3% në Serbi.

Financimi në BE mbetet në 4.7% të PBB-së

Në nivelin e Bashkimit Europian, shpenzimet publike për arsimin mbetën në 4.7% të PBB-së në vitin 2023, të pandryshuara krahasuar me vitin 2022.

Megjithatë, ky nivel ishte 0.3 pikë përqindje më i ulët se në vitin 2020, kur shpenzimet për arsimin arritën në 5% të PBB-së – niveli më i lartë i regjistruar që nga fillimi i mbledhjes së këtyre të dhënave në vitin 2012.

Statistikat përfshijnë financimin publik për të gjitha nivelet e arsimit, nga arsimi parashkollor deri te arsimi universitar dhe doktoral. Të dhënat përfshijnë financimin e drejtpërdrejtë të institucioneve arsimore, si edhe bursat, kreditë dhe transfertat e tjera për nxënësit, studentët dhe familjet e tyre.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit