

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim deri në orën 20:00 të 18 gushtit. Në total janë regjistruar 7 vatra zjarri, prej të cilave 4 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 3 janë nën monitorim.
Në terren vijon angazhimi i strukturave operacionale, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 140 efektivë, 3 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Vatrat aktive
Dajt, Tiranë – Vijon operacioni për izolimin e vatrës, ku janë angazhuar 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Priskë është riaktivizuar një vatër, por situata po monitorohet dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
Lufaj, Mirditë – Zjarri vijon të jetë aktiv, por me intensitet të ulët dhe me përparim të kufizuar. Forcat operacionale janë pozicionuar pranë zonës dhe aktualisht nuk raportohet rrezik për banesat.
Mali i Tërbunit, Pukë – Operacioni vijon në terren të vështirë. Në terren janë angazhuar 13 zjarrfikës, 8 punonjës të Shërbimit Pyjor, 45 forca bashkiake, 22 vullnetarë dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, me mbështetjen e dy helikopterëve. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Dy vatra të shuara plotësisht
Zjarri në Gurë-Lurë është shuar plotësisht pas një operacioni ku morën pjesë rreth 150 forca vendore, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe dy avionë Air Tractor.
Po ashtu, është shuar plotësisht edhe vatra në Bruç, Mat.
Ndërkohë, zjarret në Qafë Helmes, Tharri dhe Selenicë janë nën monitorim dhe, sipas autoriteteve, nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë angazhimin dhe monitorimin e koordinuar në të gjitha zonat e prekura, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme në çdo zonë ku situata mund të përkeqësohet.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






