Transmetuar më 18-08-2026, 21:37

Protesta kundër qeverisë Rama ka hyrë sot në ditën e saj të 80-të, me qytetarë që janë mbledhur në sheshin “Skënderbej” dhe më pas kanë marshuar drejt Kryeministrisë.

Tubimi vijoi me fjalime nga foltorja e improvizuar përpara Kryeministrisë, ndërsa protestuesit përsëritën kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik e zgjedhor.

Ndër kërkesat e artikuluara nga protestuesit janë edhe largimi i asaj që ata e cilësojnë si “kastë e vjetër” politike, shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ndryshimi i ligjit zgjedhor.

“Do të jemi në shesh deri në largimin e kryeministrit”

Gjatë fjalës së tij para Kryeministrisë, një prej protestuesve tha se 80 ditët e protestës kanë treguar, sipas tij, dobësimin e qeverisë përballë qytetarëve.

“Për 80 ditë janë munduar të na imponojnë teza të ndryshme, harrojnë se për 13 vjet ato teza dështuan. Kishin çdo mjet në dorë për ta bërë Shqipërinë, por nuk e bënë. Tani që kanë humbur çdo legjitimitet popullor, po përpiqen për të na orientuar se çfarë duhet të bëjmë”, deklaroi ai.

Më tej, protestuesi u shpreh se rezistenca e vazhdueshme në rrugë ka nxjerrë në pah, sipas tij, pafuqinë e qeverisë përballë protestës qytetare.

“Për 80 ditë kjo protestë ka nxjerrë në pah pafuqinë që ka qeveria para popullit. Me këtë rezistencë e kemi treguar se makineria e propagandës para këtij populli është e pafuqishme”, tha ai.

Protestuesit deklaruan se do të vijojnë qëndrimin në shesh dhe protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, përfshirë largimin e kryeministrit Edi Rama.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit