Transmetuar më 18-08-2026, 21:29

Policia ka arrestuar 11 persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit portugez në Ksamil. Mes të arrestuarve është edhe 29-vjeçari Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, i dyshuar si autor i goditjeve me thikë ndaj turistit.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 18 gushtit, në ambientet e lokalit “Principote”, ku një konflikt mes disa personave përfundoi me vdekjen e turistit portugez L. V., 20 vjeç.

Sipas Policisë, Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, dyshohet se ka goditur disa herë me thikë 20-vjeçarin. Ai u arrestua në Levan të Fierit, teksa ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që udhëtonte në drejtim të Tiranës.

Në automjet ndodheshin edhe dy shtetas turq, Nuh Mahmutoglu, 38 vjeç, dhe Ezgi Perlak, 31 vjeçe. Sipas hetimeve, ata kishin njohje me të dyshuarin dhe dyshohet se e kishin fshehur në automjet me qëllim që ta ndihmonin të largohej nga vendi i ngjarjes.

Dy persona në kërkim

Policia ka shpallur në kërkim edhe David Heurtevent, 29 vjeç, dhe Bekim Bulica, 36 vjeç.

Sipas hetimeve, Heurtevent dyshohet se ka goditur me grushte viktimën gjatë konfliktit. Ai dhe Sokrat Lipan akuzohen për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë, disa prej personave të tjerë të arrestuar dyshohet se janë përfshirë në konfliktin që parapriu vrasjen, ndërsa të tjerë po hetohen për mosnjoftimin e autoriteteve pas ngjarjes.

Emrat e 11 të arrestuarve

Në pranga kanë përfunduar:

Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata Nuh Mahmutoglu, shtetas turk Ezgi Perlak, shtetase turke Serxhi Selimi Ervis Bunci Ildi Cekani Murat Zhabina Miosid Matushaj Luciano Seferi Romeo Shehu Kristi Koshi

Ndërkohë, në kërkim janë shpallur David Heurtevent dhe Bekim Bulica.

Sipas Policisë, në momentin e konfliktit në ambientet e lokalit ndodheshin edhe persona me detyra sigurie, të cilët dyshohet se nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e përshkallëzimit të situatës dhe nuk kanë njoftuar autoritetet pas ngjarjes.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës për të dokumentuar plotësisht rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë individuale të secilit prej personave të përfshirë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit