

Ndarja e papritur nga jeta e ish-kryetarit të Gjykatës së Vlorës, Skënder Halucit, ka sjellë reagime të shumta. Mes tyre është edhe një dedikim i fortë emocional nga kushërira e tij, e cila e përshkruan atë si një njeri të afërt dhe të rëndësishëm për familjen, ndërsa ngre akuza të forta për periudhën e tij në sistemin e drejtësisë.
Në mesazhin e saj, kushërira e Halucit shprehet se ai ishte për të “jo vetëm kushëri, por vëlla, shok e mik”, duke kujtuar figurën e tij njerëzore dhe karakterin që, sipas saj, e ruajti pavarësisht vështirësive.
“Jeta e solli atë që as nuk e imagjinoja e as po e besoj dot: të derdhja lot vajtimi e fjalë trishtimi për ty. Kjo, jo vetëm për faktin se askush nuk e priste, por edhe për atë që ishe… një legjendë me shpirt njeriu”, shkruan ajo.
Akuzat për largimin nga drejtësia
Në një pjesë tjetër të dedikimit, ajo ndalet te karriera e Halucit dhe përballjet e tij profesionale, duke shprehur kritika të forta ndaj personave që, sipas saj, ndikuan në largimin e tij nga sistemi i drejtësisë.
“Janë ata që të dënuan, ata që të vetmuan, ata që të larguan nga sistemi i drejtësisë, ata që të braktisën kur duhej të të qëndronin pranë dhe ata që të ndërruan me një kodosh-shërbëtor të oligarkisë”, shkruan ajo.
Këto janë deklarime të familjares së Halucit dhe nuk shoqërohen në mesazhin e publikuar me prova apo vendime të cituara që të vërtetojnë akuzat e ngritura prej saj.
Më tej, duke përdorur një gjuhë të fortë emocionale, ajo shkruan se, sipas saj, Haluci është përballur me një padrejtësi që e ka dëmtuar rëndë.
“E pra, nëse do të instalohej Kanuni në plotninë e vet, gjakun borxh për ty na e kanë pikërisht këta mjeranë që të vranë pa gjyq, duke e dobësuar gjer në pushim një zemër fisnike.”
“Nuk mund t’i heqësh nga kujtesa”
Pavarësisht toneve të forta të mesazhit, në pjesën tjetër kushërira e tij përqendrohet te kujtimi që Haluci ka lënë te njerëzit që e kanë njohur.
“Ka njerëz që mund t’i heqësh nga një detyrë, nga një sistem, nga një zyrë apo edhe nga kjo botë, por nuk mund t’i heqësh nga kujtesa e njerëzve që i kanë njohur dhe i kanë dashur”, shkruan ajo.
Në fund të dedikimit, ajo zgjedh të mos përdorë fjalën “lamtumirë”, por e mbyll mesazhin me një shprehje besimi dhe shprese:
“A Dieu, Skënder i dashur. U pafshim pranë Zotit.”
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






