Transmetuar më 18-08-2026, 20:35

Policia ka ndërmarrë një operacion të gjerë hetimor për zbardhjen e vrasjes së 20-vjeçarit portugez, L. V., i cili u vra mëngjesin e 18 gushtit në Ksamil. Në përfundim të veprimeve të para janë arrestuar 11 persona, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Sipas Policisë së Vlorës, hetimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë e Sarandës dhe strukturat e Policisë në Sarandë e Fier, me qëllim dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe personave të tjerë të përfshirë.

I dyshuari kryesor u kap në Levan

I dyshuari kryesor për vrasjen, shtetasi S. L., alias S. V., 29 vjeç, banues në Helshan të Hasit, është kapur paraditen e sotme në Levan të Fierit.

Sipas Policisë, 29-vjeçari ishte fshehur në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga E. P., 31 vjeçe, me shtetësi turke. Në automjet ndodhej edhe N. M., 38 vjeç, po me shtetësi turke.

Të dy personat, sipas hetimeve, kishin njohje me të dyshuarin dhe dyshohet se e kishin fshehur në automjet me qëllim transportimin e tij drejt Tiranës.

Në kuadër të hetimeve, në Komisariatin e Policisë Sarandë janë shoqëruar 41 persona.

Si ndodhi konflikti

Sipas të dhënave paraprake të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:15, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil.

Gjatë një konflikti mes disa personave, S. L., alias S. V., dyshohet se ka goditur disa herë me thikë në trup 20-vjeçarin portugez L. V.

Në të njëjtën kohë, sipas hetimeve, edhe D. H., 29 vjeç, banues në Tiranë, i cili është shpallur në kërkim, dyshohet se e ka goditur viktimën me grushte.

Policia thotë se ndaj të dyve rëndon dyshimi për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.

Kamarierët dyshohet se u përfshinë në konflikt

Në ngjarje dyshohet se janë përfshirë edhe katër kamarierë të lokalit “Principote”: S. S., 24 vjeç; E. B., 24 vjeç; M. Zh., 27 vjeç; dhe I. C., 21 vjeç.

Sipas Policisë, ata dyshohet se kanë goditur me grushte 20-vjeçarin gjatë konfliktit, përpara se ai të goditej me mjet prerës nga S. V.

Bodyguard-ët nuk ndërhynë

Në momentin e ngjarjes, në lokal ndodheshin edhe katër persona me detyrë sigurie: M. M., L. S., R. Sh. dhe K. K.

Sipas hetimeve, ata kishin rolin e sigurisë në ambientet e lokalit, por nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit, i cili kishte nisur brenda lokalit.

Policia thotë gjithashtu se pas ngjarjes ata nuk kanë njoftuar autoritetet për rastin.

Një prej tyre, M. M., është punonjës policie në strukturat e Policisë së Gjirokastrës; L. S. është punonjës i IEVP-së Fier, ndërsa R. Sh. është punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër.

Edhe pronari i lokalit, B. B., 36 vjeç, banues në Tiranë, ndodhej në ambientet e “Principote” në momentin e ngjarjes. Sipas Policisë, ai është larguar pas ngjarjes dhe nuk e ka kallëzuar atë pranë autoriteteve.

11 të arrestuar, 2 në kërkim

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Policia ka arrestuar:

S. L., alias S. V., 29 vjeç – i dyshuar si autor i vrasjes; N. M., 38 vjeç, shtetas turk; E. P., 31 vjeçe, shtetase turke; S. S., 24 vjeç; E. B., 24 vjeç; I. C., 21 vjeç; M. Zh., 27 vjeç; M. M., 24 vjeç; L. S., 44 vjeç; R. Sh., 35 vjeç; K. K., 29 vjeç.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim D. H., 29 vjeç, dhe B. B., 36 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë e Sarandës për veprat penale përkatëse.

Për S. V. dhe D. H. rëndon akuza për “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim. Ndërsa ndaj N. M. dhe E. P. hetimet lidhen me veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”.

Për personat e tjerë, materialet janë referuar për veprën penale “Moskallëzim i krimit”, ndërsa për M. M. edhe për veprën penale “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.

Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësive të secilit person të përfshirë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit