

Futbollisti 20-vjeçar i Cagliarit, Yael Trepy, ndodhet në terapi intensive në një spital në Sassari, pasi pësoi një incident të rëndë në një pishinë gjatë qëndrimit në Sardenjë.
Ngjarja ka ndodhur në një vilë ku Trepy po kalonte disa ditë pushimi, pas fitores 1-0 të Cagliarit ndaj Arezzos në Kupën e Italisë.
Sipas raportimeve të mediave italiane, 20-vjeçari, i cili nuk është notar i mirë, përfundoi në pjesën e thellë të pishinës. Situata u përkeqësua pasi ai humbi ndjenjat.
Trepy u nxor nga pishina dhe u transportua me urgjencë në spital. Më pas, ai u shtrua në repartin e terapisë intensive të Spitalit Civil “Santissima Annunziata” në Sassari.
Cagliari: Jemi në kontakt me mjekët dhe familjen
Klubi i Cagliarit ka reaguar zyrtarisht për situatën, duke konfirmuar se futbollisti vijon të jetë nën kujdesin intensiv mjekësor.
“Yael Trepy aktualisht është i shtruar në Spitalin Civil Santissima Annunziata në Sassari, ku ndodhet në terapi intensive. Klubi është në kontakt të vazhdueshëm me strukturën shëndetësore dhe familjen e lojtarit dhe po monitoron nga afër ecurinë e gjendjes së tij”, thuhet në komunikatën e klubit.
Trepy, i lindur në Francë dhe i transferuar në Itali në vitin 2022, është pjesë e Cagliarit. Gjatë sezonit të kaluar, ai regjistroi tetë paraqitje në Serie A, duke shënuar një gol.
Në ndeshjen ndaj Arezzos, futbollisti luajti për 53 minuta, përpara se të zëvendësohej.
Aktualisht, vëmendja është përqendruar te gjendja e tij shëndetësore, ndërsa klubi dhe familjarët presin përditësimet e mjekëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






