Transmetuar më 18-08-2026, 20:11

Një person është arrestuar në flagrancë në Mirditë, pasi dyshohet se ka shkaktuar qëllimisht disa vatra zjarri në fshatin Gziq të Rrëshenit.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili deklaroi se i dyshuari, banues në këtë zonë, dyshohet se ka ndezur tre vatra zjarri.

Sipas ministrit, flakët kanë përfshirë një sipërfaqe pyjore prej rreth 400 metrash katrorë, ndërsa zjarri është vënë nën kontroll nga shërbimet e Policisë së Mirditës.

Efektivët policorë ndodheshin prej tre ditësh në terren për monitorimin e situatës, ndërsa personi i arrestuar dyshohet se mund të jetë i përfshirë edhe në raste të tjera zjarrvënieje në territorin e Bashkisë Mirditë.

Lamallari e cilësoi zjarrvënien e qëllimshme si një vepër që duhet të marrë ndëshkimin e parashikuar nga ligji dhe kërkoi nga Prokuroria që hetimi të vijojë deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Apeli im për Prokurorinë është i drejtpërdrejtë: kjo çështje duhet të shkojë deri në fund. Hetim i plotë, prova të plota dhe përgjegjësi penale për autorin, nëse fajësia provohet”, deklaroi ministri.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rastit dhe verifikimin e dyshimeve për përfshirjen e të arrestuarit në raste të tjera zjarrvënieje.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit