

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj një shtetasi serb, i dyshuar për përfshirje në ngjarjet e dhunshme në Zveçan, ku dyshohet se është sulmuar edhe KFOR-i.
I pandehuri, i identifikuar me inicialet I.M., po hetohet për pesë vepra penale: “bashkimi për veprimtari kundërkushtetuese”, “rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”, “sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe zhvillimit të seancës dëgjimore.
Gjykata ka vlerësuar se paraburgimi është, në këtë fazë, masa e përshtatshme për garantimin e vijimit normal të procedurës penale. Sipas vendimit, ekziston rrezik real që i pandehuri të arratiset dhe t’i shmanget përgjegjësisë penale nëse lihet i lirë.
Një nga elementet që gjykata ka marrë në konsideratë është edhe fakti se i dyshuari është shtetas i Serbisë, çka, sipas saj, rrit rrezikun që ai të largohet dhe të bëhet i paarritshëm për autoritetet e drejtësisë së Kosovës.
Gjykata ka vlerësuar gjithashtu se ekziston rreziku që, nëse lihet në liri, i pandehuri mund të ndikojë te provat ose dëshmitarët e çështjes.
Për këto arsye, gjyqtarja e procedurës paraprake ka vendosur caktimin e paraburgimit për një periudhë prej 1 muaji.
Kundër këtij vendimi, palët kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
I dyshuari prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






