

Shkon në 12 numri i personave të arrestuar në lidhje me vrasjen e turistit portugez, Luis Miguel Varela Mendes, në Ksamil. I riu humbi jetën pasi u godit me thikë nga 29-vjeçari Sokrat Vata.
Mes personave të arrestuar është edhe efektivi i Policisë së Shtetit, Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër dhe me detyrë ndihmës specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër.
Por, sipas burimeve, në pranga ka rënë edhe një punonjës i sistemit penitenciar.
Bëhet fjalë për Luçiano Seferin, punonjës i rolit bazë në burgun e Fierit. Rrethanat konkrete që lidhen me arrestimin e tij pritet të sqarohen në vijim të hetimeve.
Sipas burimeve, disa prej personave të arrestuar dyshohet se kanë përgjegjësi për moskallëzim krimi, pasi vrasja e turistit portugez ka ndodhur disa orë përpara se autoritetet policore të njoftoheshin për ngjarjen.
Hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë dinamikën e vrasjes, rolin e secilit prej personave të arrestuar dhe arsyet se përse ngjarja nuk u raportua menjëherë në polici.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






