Transmetuar më 18-08-2026, 16:57

Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmon se administrata e Presidentit Donald Trump po përdor autoritetin ligjor për revokimin e vizave në rastet kur evidentohen shqetësime lidhur me sigurinë kombëtare, sigurinë publike apo rrethana të tjera që, sipas autoriteteve amerikane, e bëjnë të nevojshme një masë të tillë.

Në një përgjigje zyrtare për mediat, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka sqaruar se vizat mund të revokohen në çdo moment kur ka të dhëna që ngrenë dyshime mbi përshtatshmërinë e mbajtësit të vizës ose kur ai konsiderohet si kërcënim i mundshëm për sigurinë publike.

“Administrata Trump po mbron kombin tonë dhe qytetarët e tij duke zbatuar standardet më të larta të sigurisë kombëtare dhe sigurisë publike përmes procesit të vizave”, thuhet në përgjigjen e DASH.

Sipas autoriteteve amerikane, revokimi i vizës mund të bëhet edhe në rrethana të tjera kur një masë e tillë konsiderohet e nevojshme. Ndër shkaqet e përmendura janë aktivitetet kriminale, shkelja e kushteve të vizës, mashtrimi dhe shqetësimet që lidhen me sigurinë kombëtare.

DASH i është referuar gjithashtu qëndrimit të Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, sipas të cilit “një vizë amerikane është privilegj, jo e drejtë”.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, Sekretari Rubio ka autoritet të gjerë për të revokuar vizat dhe administrata Trump është e angazhuar ta ushtrojë këtë autoritet kur ekziston një interes i rëndësishëm i politikës së Shteteve të Bashkuara.

Sa shqiptarë kanë humbur vizat?

Çështja e revokimit të vizave ka ngritur pikëpyetje edhe për numrin e shtetasve shqiptarë të prekur nga kjo politikë.

Një javë më parë u raportua se Departamenti Amerikan i Shtetit kishte revokuar më shumë se 175 mijë viza për shtetas të huaj që prej rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, DASH nuk ka bërë të ditur se sa prej këtyre rasteve u përkasin shtetasve shqiptarë.

Departamenti ka shpjeguar se, si rregull i përgjithshëm, nuk komenton raste specifike për shkak të konfidencialitetit të të dhënave që lidhen me vizat.

Kështu, SHBA konfirmon se revokimi i vizave po përdoret si një instrument i politikës së administratës Trump për mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe publike, por nuk ka një shifër zyrtare publike për numrin e shqiptarëve që kanë humbur vizat amerikane.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit