

Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që tronditi Ksamilin mëngjesin e së martës, ku një turist portugez, 20 vjeç, humbi jetën pasi u godit me thikë. Për ngjarjen është arrestuar 29-vjeçari Sokrat Vata.
Sipas burimeve, Vata ka zgjedhur të mos japë deklarime para grupit hetimor, duke mos bërë asnjë dëshmi lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje edhe dy shtetas turq, të cilët u kapën së bashku me 29-vjeçarin, teksa dyshohet se po e largonin nga vendi i ngjarjes.
Në prani të përkthyesve, ata kanë treguar para hetuesve marrëdhënien që kishin me Vatën dhe arsyen pse e morën në automjet pas konfliktit. Sipas dëshmive të tyre, dy shtetasit turq ishin klientë të rregullt të lokalit “Principotes” dhe kishin krijuar një raport shoqëror me 29-vjeçarin.
Ata kanë deklaruar gjithashtu se i paguanin Vatës shërbime sigurie, duke e angazhuar si truprojë dhe shoqërues personal.
Të dy shtetasit turq kanë mohuar çdo përfshirje në vrasje, duke pretenduar se e morën Vatën në automjet vetëm për shkak të marrëdhënies shoqërore që kishin me të.
“Ishim miq dhe e shoqëruam për shkak të miqësisë”, mësohet të kenë deklaruar ata para hetuesve.
Ndërkohë, grupi hetimor ka marrë në pyetje edhe miqtë e viktimës, të cilët kanë dhënë versionin e tyre mbi mënyrën se si nisi konflikti dhe momentet që i paraprinë goditjes fatale.
Sipas dëshmive të tyre, konflikti dyshohet se ka nisur brenda ambienteve të lokalit pas një incidenti të lidhur me ngacmimin e një vajze. Situata më pas është përshkallëzuar dhe në përleshje janë përfshirë disa persona.
Në përpjekje për të neutralizuar situatën kanë ndërhyrë edhe punonjësit e sigurisë. Në këtë moment, 20-vjeçari portugez dyshohet se është futur mes personave të përfshirë në konflikt, me qëllim që t’i ndante dhe të qetësonte situatën.
Por ndërhyrja e tij përfundoi në mënyrë tragjike. I riu u godit me thikë dhe, si pasojë e plagëve të marra, humbi jetën.
“Sherri nisi për ngacmimin e një vajze. Në konflikt u përfshinë disa persona. Viktima u fut për të shuar konfliktin”, mësohet të kenë deklaruar miqtë e viktimës.
Hetimet vijojnë për të zbardhur dinamikën e plotë të konfliktit, rolin e secilit prej personave të përfshirë dhe rrethanat që çuan në vrasjen e turistit portugez.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






