Transmetuar më 18-08-2026, 13:45

Australi – Jason Paul Howell, 37 vjeç, është dënuar për herë të dytë për përfshirjen në vrasjen e emigrantit shqiptar Urim Gjabri, ngjarje e ndodhur në vitin 2018 gjatë një grabitjeje në një banesë ku kultivohej kanabis.

Howell u shpall fajtor për manslaughter (vrasje pa dashje) nga Gjykata Supreme e Australisë së Jugut. Ai kishte udhëtuar nga Murray Bridge drejt Adelaide-s së bashku me katër persona të tjerë, me qëllim grabitjen e shtëpisë së Gjabrit në Para Vista.

Gjatë përplasjes, Gjabri u sulmua me një shkop kriketi dhe pësoi një dëmtim fatal në kokë. Autoritetet nuk kanë përcaktuar se cili prej agresorëve dha goditjen vdekjeprurëse dhe gjatë gjyqit nuk u pretendua se ajo ishte dhënë nga Howell.

Gjykata vlerësoi se Howell ishte pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe se kishte dijeni se një armë do të përdorej gjatë grabitjes. Sipas gjyqtares Laura Stein, ai nuk kishte parashikuar vrasjen, por kishte parashikuar mundësinë që arma të përdorej për të nënshtruar banorin dhe për t’i shkaktuar dëmtime serioze.

Gjabri kishte ardhur në Australi për familjen

Gjatë procesit gjyqësor u theksua se Urim Gjabri ishte baba i tre fëmijëve dhe kishte emigruar nga Shqipëria në Australi për të punuar dhe për të siguruar të ardhura për familjen e tij.

Gjyqtarja Stein theksoi pasojat e rënda emocionale, psikologjike dhe financiare që vdekja e tij shkaktoi te familja.

Gjabri u gjet disa ditë pas sulmit, pasi kishte mbetur i vetëm brenda banesës.

Howell dënohet me 7 vite burg

Gjykata e dënoi Howell-in me shtatë vite burg, me një periudhë minimale prej pesë vitesh pa të drejtë lirimi me kusht.

Nga dënimi iu zbritën katër vite e një muaj, për shkak të kohës së kaluar në arrest shtëpie dhe paraburgim. Për rrjedhojë, dënimi i mbetur është dy vite e 11 muaj, ndërsa periudha minimale pa të drejtë lirimi me kusht është 11 muaj.

Gjatë seancës, gjykata mori në konsideratë edhe faktin se Howell kishte bashkëpunuar me policinë pas arrestimit dhe kishte shfaqur pendesë të thellë për ngjarjen.

Të bashkëpandehurit, të dënuar me burgim të përjetshëm

Katër personat e tjerë të përfshirë në grabitje – Aaron Donald Carver, Benjamin John Mitchell, Alfred Claude Rigney dhe Matt Bernard Tenhoopen – fillimisht u shpallën fajtorë për vrasjen e Gjabrit.

Vendimi i parë u rrëzua më vonë pas një vendimi të Gjykatës së Lartë të Australisë, e cila konstatoi se juria nuk ishte udhëzuar siç duhej mbi parimin juridik të “constructive murder”.

Pas rigjykimit, katër të pandehurit u shpallën sërish fajtorë dhe u dënuan me burgim të përjetshëm, me një periudhë minimale prej 20 vitesh pa të drejtë lirimi me kusht. Një apel kundër vendimit u rrëzua në qershor.

Rasti i Urim Gjabrit mbetet një prej çështjeve të rënda penale që kanë përfshirë komunitetin shqiptar në Australi, ndërsa proceset gjyqësore kanë zgjatur për disa vite.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit