

Ksamil – Detaje të reja janë zbardhur për vrasjen e 20-vjeçarit francez Miguel Mendes, i cili humbi jetën në orët e para të mëngjesit pranë ambienteve të “Principotes” në Ksamil.
Sipas të dhënave paraprake, Mendes kishte mbërritur në zonë së bashku me disa miq francezë për të marrë pjesë në një festë që zhvillohej në beach bar, ku performonte një DJ francez.
Gjatë qëndrimit në lokal, 20-vjeçari dyshohet se është përfshirë në një konflikt me 29-vjeçarin Sokrat Vata, nga Hasi, i cili punonte si truprojë në “Principotes”. Sipas burimeve, konflikti dyshohet se ka nisur për shkak të një vajze.
Në përplasjen mes disa personave, Mendes dyshohet se është nxjerrë nga ambientet e lokalit drejt hyrjes dhe më pas është goditur me thikë nga Vata.
I riu francez u gjet pa shenja jete në shezlongët e një plazhi pranë lokalit. Pas ngjarjes, Vata u largua nga vendi, por u kap disa orë më vonë në Levan të Fierit, ku ishte fshehur në bagazhin e një automjeti.
29-vjeçari tashmë ndodhet në duart e policisë, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe motivit të konfliktit.
Sokrat Vata rezulton të ketë pasur më herët probleme me drejtësinë në Britaninë e Madhe, ku, sipas të dhënave të raportuara, është dënuar për vepra penale që lidhen me trafikun e drogës.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të rrethanave të vrasjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






